Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit, mendon se gjykimi po bëhet faktor në rrugëtimin e skuadrës së tij në këtë fund sezoni. Në një prononcim për “Syri TV”, tekniku i krutanëve i është kthyer ndeshjes me Apoloninë, duke cilësuar humbjen një pasojë të arbitrimit që kishte dëmtuar skuadrën e tij me disa episode.

“E kam shprehur që në përgjithësi arbitrimet deri në mes të janarit kanë qenë shumë mirë, kanë qenë arbitrime të sakta e të drejta. Por eksperienca ime të lë të kuptosh që në fund të kampionatit është pak problem.

E kam riparo ndeshjen disa herë, nuk është një rast por disa. Aq shumë raste nuk mund të bëhen, nuk mundet që në pozicion jashtë loje të mos jetë në vijë, si bëri ai anësori nga Vlora. Janë shumë gabime që rëndojnë shumë.

Ne zhvilluam një pjesë të parë shumë të dobët, por të dytë të shkëlqyer. Mund të kishim fituar ndeshjen. Ajo që mbaroi, mbaroi. Do të thosha që ndeshjen e radhës të jenë shumë të kujdesshëm, sepse me njëanshmërinë që tregojnë me raste të veçanta këta prishin garën. Në futboll duhet shumë kujdes, njëanshmëria dëmton skuadrën. Ndoshta mund të thuash që është dëmtuar edhe ndonjë skuadër tjetër”m tha Ndreu. /vipsport/