Po i vjen fundi shtegtimit nëpër Europë të Kaleb Ekuban. Sulmuesi, u largua nga Italia disa vite më parë për t;u bërë një emër i njohur në Europë e për t’u kthyer si protagonist dhe tashmë duket se po vjen momenti i tij që ky rrugëtim i nisur nga Superiorja dhe Partizani, të marrë fund me kthimin në Serinë A.

Ekuban ka shkëlqyer në vitet e fundit me fanellën e Trabzonspor dhe është bërë protagonist në rrugëtimin e mirë të kësaj skuadre që u kthye faktor në luftën për titull në Turqi ,për të ka pasur interesim nga skuadra të ndryshme në Europë dhe sipas mediave italiane, St. Etien në Francë, por edhe disa klube të Serisë A janë gati të presin krahëhapur futbollistin i cili ka treguar se mund të përshtatet mirë në disa pozicione në fushë si në krahun e djathtë të sulmit, pas sulmuesit, apo edhe në qendër të sulmit.

Sampdoria është emri i skuadrës që po sheh më me interes futbollistin në këtë periudhë, por ka edhe klube të tjera të cilat po monitorojnë Ekuban.

Ai i ka bërë mjaft mirë që nga periudha kur u largua nga Verona për të shkuar te Partizani, me një etapë te Lids, para se të zbarkonte në Turqi te Trabzonspori ku u bë një emër shumë më i njohur dhe arriti të siguronte edhe ftesën nga përfaqësuesja e Ganës. /vipsport/