Kampionati prej thuajse një muaji është në bojkot dhe skuadrat e Kategorisë Superiore kanë patur mundësi të punojnë në infrastrukturë për përmirësimin e fushave, që edhe pse e kanë rritur nivelin në vitet e fundit, kërkojnë ende shumë punë për të mbërritur në kushtet e normales. Te Teuta kanë zgjedhur vetëm tani për të punuar në këtë aspekt.

Durrsakët gjatë muajve të verës janë stërvitur vazhdimisht në “Niko Dovana”, duke ndikuar në rëndimin e terrenit. Sot ata njoftojnë se kanë nisur punimet për përmirësimin e terrenit të fushës. Një vendim mjaft i befasishëm, që në fakt duhet të kishte ndodhur më parë te Teuta, për të shmangur “shtegtimin” për rreth një muaj të skuadrës.

Kategoria Superiore është e vështirë të shtyhet ende dhe pritet që pas ndeshjeve të kombëtares Liga dhe qeveria të ulen e të bisedojnë për të rregulluar situatën. Në rast se ky skenar vihet në zbatim, Teuta do të mundohet të gjejë një stadium për të luajtur ndeshjet brenda.

Një vonesë e pakuptueshme vendimi i durrsakëve për të ndërhyrë kaq vonë në fushën e stadiumit, por që në fund të fundit duhet vlerësuar sepse klube të tjera elitare kanë vendosur të mos përmirësojnë fare infrastrukturën në këtë aspekt.

POSTIMI: Në stadiumin “Niko Dovana” ka filluar puna për rregullimin e fushës së futbollit. Procesi parashikon mbjelljen e barit dhe rigjinerimin e atij ekzistues. Ky proces pritet të zgjasë për rreth 20-25 ditë por në varësi të kushteve të motit ky afat mund të ndryshojë.

Gjatë kësaj periudhe të gjitha aktivitetet zyrtare të planifikuara në fushën e futbollit të stadiumit “Niko Dovana” nuk do të zhvillohen por do të gjenden mundësi alternative./vipsport/