Nga “ferri” në “parajsë”. Kështu shkuan këto ditë të fundit për Valentino Muratajn, i cili të shtunën e kaluar humbi penallti vendimtare ndaj Kukësit. Por vetëm pak ditë më pas ngriti trofeun e Superkupës në finalen e fituar minimalisht ndaj Egnatias.

Pas triumfit, mes emocionesh për fitimin e trofeut, Murataj foli për mediat, ku u shpreh i bindur se tashmë skuadra do të kthehet te fitoret edhe në kampionat, që në ndeshjen e radhës ndaj Erzenit. Ai foli edhe për të ardhmen, ku la gjithçka të hapur, pavarësisht se u shpreh se ka një marrëveshje mes burrash me presidentin Demi.

Fitoni Superkupën pas një momenti të vështirë. Ishte mënyra e duhur për të kaluar krizën?

Për mua personalisht është një trofe i veçantë, sepse është Superkupa e parë për mua dhe e fitoj me ekipin e zemrës, Partizanin. Çdo trofe është i rëndësishëm. Kjo ndikon edhe në moralin e skuadrës pas gjashtë barazimesh. Tani do të vijnë edhe fitoret me radhë. Shpresoj të marrim edhe trofe të tjerë, sepse Partizani futet çdo vit për t’i marrë të gjithë trofetë.

Jemi në prag të merkatos së janarit. Si do të jetë e ardhmja juaj?

Unë jam në kontratë me Partizanin edhe për gjashtë muaj. Kam bërë një akord burrash me presidentin. Tani ngelet në dorën time dhe të presidentit nëse do të vazhdojmë apo jo. /PANORAMA-SPORT/