Pas Vllaznia, nje tjeter klub futbolli ne vendin tone eshte ne prag te procesit te privatizimit. Behet fjale per Klubin e Futbollit Maliqi. Bashkia Maliq ka njoftuar palët e interesuara dhe tifozët se në datën 23 dhjetor 2021 në orën 10:00 në sallën e Këshillit Bashkiak do ketë edhe një diskutim publik për të marrë miratimin e tifozëve, në lidhje me këtë kërkesë të propozuar nga kreu i kësaj bashkie, Gëzim Topçiu.

Newsport.al disponon edhe dokumentacionin e shpallur në lidhje me këtë ide, që do I jepte një pronar privat KF Maliqit, duke pasur financa të shëndosha. Në dokumentacion thuhet qartë se objekti i takimit të parë është informues për publikun, për të vijuar më tej me hapjen e procedurës së privatizimit.

Këtë sezon për herë të parë në histori, Maliqi luan në Kategorinë e Parë, teksa FSHF po ndihmon Bashkinë e qytetit juglindor me rinovimin e stadiumit “Jovan Asko”. Ndryshe nga shumë klube të tjera në këtë kategori, drejtuesit e Maliqit duket se e kanë idenë e qartë për t’i dhënë skuadrës vazhdimësi dhe financa të shëndosha.

Pritet të shihet takimi i datës 23 dhjetor për një vendim të Bashkisë dhe tifozëve. Në bazë të këtyre vendimeve dhe bashkëbisedimit me tifozerinë, Bashkia që është pronare pritet të marrin një vendim për procedurat dhe ankandin.