Mesfushori legjendar i Manchester United, Paul Scholes, ka komentuar me sinqeritet situatën aktuale në ish-klubin e tij, duke drejtuar kritikat ndaj Casemiro, Harry Maguire dhe Luke Shaw.
Në një intervistë për The Times, një nga figurat kyçe të gjeneratës që fitoi kurorën e trefishtë në 1999, deklaroi se treshja e përmendur nuk mund të mbajë ritmin e Premier Ligës.
“Shaw, Maguire, Casemiro… të gjithë ishin lojtarë të shkëlqyer, por tani janë në fazën e karrierës kur Liga Premier zbulon çdo dobësi nëse nuk je fizikisht në formë. Klubi duhet t’i shesë këta të tre”, tha Scholes.
Ish-mesfushori shtoi se problemi kryesor është humbja e forcës, shpejtësisë dhe qëndrueshmërisë.
“Ata nuk janë më atletikë ose mjaftueshëm të shpejtë për t’i bërë ballë kërkesave të Ligës Premier. Sot, të gjithë lojtarët janë makina fizike, me një përqindje minimale yndyrë trupore. mund të vrapojnë, të luftojnë, të kërcejnë. Fatkeqësisht, United ka dy ose tre lojtarë që nuk mund të përballojnë topin dhe ritmin e lojës”.
Scholes gjithashtu kritikoi mënyrën si klubi i ka menaxhuar disa lojtarë vitet e fundit, duke përmendur Casemiron, i cili erdhi nga Real Madrid në vitin 2022 si pjesë e një projekti ambicioz.
“United i ka mashtruar disa lojtarë me premtimin e një projekti të madh. Por sot, as Casemiro, as Maguire, as Shaw nuk janë pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit në një ekip që ende kërkon identitet dhe rikthim në lavdinë e tij të mëparshme”, përfundoi legjenda angleze. /Telegrafi/