Pep Guardiola pritet të japë dorëheqje si trajner i Manchester Cityt pas ndeshjes së fundit të sezonit në Ligën Premier ndaj Aston Villas më 24 maj, raporton “Daily Mail”.
Sipas këtij raportimi, 55-vjeçari do t’i japë fund një periudhe dhjetëvjeçare në “Etihad”, gjatë së cilës e udhëhoqi Man Cityn drejt 20 trofeve madhorë, përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premier dhe triumfin historik në Ligën e Kampionëve.
Po ashtu, thuhet se përgatitjet për një njoftim zyrtar tashmë kanë nisur, ndërsa Manchester City ka filluar t’i informojë edhe partnerët komercialë, përpara konfirmimit të pritur.
Largimi i Guardiolës pritet të shënohet me aktivitete të planifikuara në Mançester, përfshirë edhe një paradë pas përfundimit të sezonit. Guardiola ka ende edhe një vit të mbetur në kontratë, ndërsa “Daily Mail” shton se mbetet e hapur mundësia që ai të vazhdojë të jetë pjesë e klubit në një rol tjetër.
Ndërkohë, Manchester City thuhet se po shqyrton zëvendësime të mundshme, me Enzo Marescan dhe Vincent Kompanyn mes emrave që janë lidhur me këtë post. /Telegrafi/


