Kastrioti do të synojë trepikëshin në përballjen e radhës me Partizanin, kjo pasi krutanët kanë besim, duke u bazuar te forma e mirë e skuadrës dhe lojërat që kanë zhvilluar në ndeshjet e fundit. Për këtë takim, trajneri Ndreu ka një mungesë të sigurt, që është ajo e ish-lojtarit të Partizanit, Joan Çela, por mbetet në dyshim edhe mbrojtësi kroat Damir Grgiç.

Gjithsesi, lajmi i mirë është se në ndeshjen e Kupës me Flamurtarin debutoi mesfushori Edon Hasani, i cili luajti 20 minuta. Husein dhe Okebugu morën gjithashtu minuta në Kupë, ndaj llogariten forca shtesë për skuadrën. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, tregon se ka besim te skuadra që do të marrë tri pikë ndaj të kuqve, duke u bazuar në formën e mirë dhe lojërat e zhvilluara së fundmi.

Pas Kupës vjen radha e kampionatit dhe përballë keni një skuadër që deri më tani nuk ka marrë asnjë fitore. A është gati Kastrioti për të marrë fitoren e dytë sezonale pas asaj me Skënderbeun?

Jo për t’i bërë qejfin vetes, por jemi në momentin e duhur për të marrë 3 pikët. Presim Partizanin, por kushdo që të ishte, ne jemi në moment të mirë dhe të duhurin për të marrë tri pikë patjetër.

Përballë një Partizani në zonën e ftohtë, i druheni mosvlerësimit nga skuadra?

Po të ishte një skuadër tjetër do të thosha që mund ta nënvlerësojnë, por Partizani është një skuadër, që nëse do të bëja një paralele ku ndoshta nuk është 100%, por edhe Laçi në moment të vështirë ishte dhe erdhi na mundi brenda. Ndaj, në këtë ndeshje ne të gjithë, si staf dhe lojtarë i japim vlerësimin maksimal. Duhen bashkuar të gjithë elementët që ta mposhtësh, pasi është një skuadër shumë e mirë me cilësi e nivel, ndaj duhet shumë mund që ta mposhtësh.

A e keni grupin e plotë, pasi në Shkodër dy lojtarë u dëmtuan?

Fatkeqësisht janë të dy të dëmtuar. Mbase njëri edhe mund të sakrifikojë, por kemi futbollistë të tjerë, kemi grup me 20 lojtarë. Ndoshta ulet cilësia, pasi duhet grupi i plotë, por shpresojmë që të rikuperohen dhe të jenë të gjithë. Edhe nëse nuk do të jenë ata, i kemi lojtarët për t’i zëvendësuar, ndaj nuk do të jetë problem.

Ka ndodhur në disa ndeshje, siç ka qenë ajo me Egnatian apo e fundit me Teutën, keni pësuar pastaj ka reaguar skuadra, përse ndodh kjo?

Futbolli ka momentet e veta shumë të mira, por edhe të dobëta, siç treguam ne me Teutën, që në pjesën e parë nuk është se na vuri në vështirësi. Nëse i bëjmë një pasqyrë të shkurtër ndeshjes, i vetmi rast ishte i qendërmbrojtësit tonë që avancoi shumë dhe dha një pasim paralel gabim. Ishte rasti i vetëm i Teutës dhe e gjithë loja ishte në kontroll nga ana jonë.

Patëm raste me Ajazin dhe Bashën, ndaj ishte aty-aty dhe lojtarët ishin të kënaqur me barazimin. Ndërsa, në pjesën e dytë, pasi morëm gol, ekipi reagoi fuqishëm dhe kjo është një gjë e mirë. Skuadra nëse nuk reagon është problem i madh. Por nëse reagon tregon që është skuadër me karakter dhe që nuk dorëzohet kurrë.

Më në fund u zhbllokua edhe Mudrazija, a e ka tani Kastrioti lojtarin gol?

Ndoshta nuk është tipik ai lojtar siç kishim vjet Da Silvën, por është e gjithë skuadra që në manovrën e sulmit është mirë. Me kombinacione, në harmoni me veprimet është afër portës, ndaj edhe kemi shënuar. Gjithsesi, duke parë paraqitjet që kanë bërë të dy sulmuesit, besoj që do të shënojmë më shumë.