Dueli mes Vllaznisë dhe Laçit që do luhet të shtunën në “Loro Boriçi” në orën 19:45 dhe është i vlefshëm për javën e 10-të të kampionatit, do ketë një rikthim në të shkuarën për disa nga protagonistët. Të dy skuadrat kanë “ish-ë” të secilit ekip në gjirin e tyre.
Kështu Alen Sherri rikthehet në Shkodër tashmë si kundërshtar. Gardiani i Laçit, i formuar tek akademia Vllaznia dhe i konfirmuar në Superiore nga ekipi i parë, prej 2 sezonesh është pjesë e bardhezinjve. Po ashtu mbrojtësi, Renato Malota ka mbrojtur për 3 sezone rradhazi ngjyrat kuqeblu. Madje duke qenë pjesë e skuadrës edhe në Kategorinë e Parë.
Nuk mungojnë “ish-ët” laçian as tek Vllaznia. Abdurrahman Fangaj u shndërrua në një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të kampionatit pikërisht tek Laçi. Ku bëri emër e tashmë i rikthyer në qytetin e tij prej 2 sezonesh. Gjithashtu edhe Fjoart Jonuzi ka qenë pjesë e kurbinasve në të shkuarën, duke qenë një titullar në vitet e tij të aktivizimit.
Për këta lojtarë patjetër që do ketë emocione të veçanta. Por ne te njejtat pozita eshte edhe trajneri aktual i Laçit Mirel Josa qe me pare ka drejtuar Vllaznine.
Emocionet do te jene te pranishme per ta sepse vihen përballë të shkuarës, ku me ekipet përkatëse kanë kaluar gjithçka. Nga emocionet e suksesit e deri tek lotët e dështimit. Sipas të gjitha gjasave si titullarë në ndeshje priten të jenë vetëm Jonuzi për Vllazninë dhe Malota për Laçin.
Endri ÇINARI