Shkruar nga Endri ÇINARI
Përballjet mes Vllaznisë dhe Tiranës mbeten ndër duelet më të veçanta të futbollit shqiptar, me një histori të pasur dhe rivalitet që i ka shoqëruar ndër vite. Megjithatë, në katër sezonet e fundit, statistikat e kësaj “klasike” flasin qartë në favor të shkodranëve, të cilët kanë arritur të vendosin një dominim të dukshëm ndaj bardhebluve.
Në 16 ndeshjet e zhvilluara mes dy skuadrave gjatë kësaj periudhe, Vllaznia ka regjistruar 8 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 humbje. Një bilanc që konfirmon epërsinë e kuqebluve në këtë rivalitet, ku skuadra shkodrane ka ditur të marrë rezultatet e duhura dhe të lërë pas rivalët kryeqytetas në pjesën më të madhe të përballjeve direkte.
Një nga protagonistët kryesorë të këtyre sfidave ka qenë padyshim Bekim Balaj. Sulmuesi shkodran ka treguar një formë të jashtëzakonshme përballë Tiranës, duke realizuar plot 12 gola në 11 ndeshjet e fundit ndaj bardhebluve. Një statistikë mbresëlënëse, që dëshmon se kapiteni kuqeblu ka gjetur te kryeqytetasit një nga kundërshtarët e tij të preferuar, duke u kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për prapavijën kundërshtare.
Edhe bilanci i ndeshjeve ku Tirana ka arritur të fitojë si skuadër udhëtuese ndaj Vllaznisë tregon vështirësitë e bardhebluve në vitet e fundit. Fitorja e fundit e kryeqytetasve në rolin e udhëtuesit daton më 7 tetor 2023, në javën e tetë të sezonit 2023-2024, kur Tirana triumfonte me rezultatin 0-1. Megjithatë, ajo përballje u zhvillua në Kukës dhe jo në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ndërkohë, për të gjetur fitoren e fundit të Tiranës në Shkodër, në impiantin “Loro Boriçi”, duhet të kthehemi pas në kohë, më 12 mars 2022. Në atë takim, të vlefshëm për javën e 25-të të sezonit 2021-2022, bardheblutë fitonin 1-2, duke marrë tri pikë në transfertën shkodrane. Që prej asaj date, Tirana nuk ka arritur ta përsërisë suksesin në fushën e Vllaznisë.
Kështu, përpara radhës së radhës së “klasikes”, shifrat dhe historia e përballjeve të fundit krijojnë një panoramë pozitive për kuqeblutë. Tetë fitore në 16 ndeshje, vetëm tri humbje dhe një Balaj në formë të shkëlqyer ndaj bardhebluve janë treguesit kryesorë të këtij dominimi. Tashmë, Vllaznia do të kërkojë ta konfirmojë edhe një herë këtë epërsi në fushën e lojës, ndërsa Tirana do të synojë të thyejë një seri që prej kohësh favorizon shkodranët.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


