Fjoart Jonuzi do të ketë edhe një takim të fundit në ditët në vijim me drejtuesit e Vllaznisë për të diskutuar të ardhmen e tij. Të paktën, kështu mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë palëve.

Tashmë, mesfushori duhet ta ndajë mendjen, nëse do të vijojë edhe një sezon në Shkodër apo do të transferohet te Partizani, ku e presin krahëhapur, pa lënë mënjanë këtu edhe bisedimet me klubet e huaja.

Jonuzi është tunduar nga oferta e Partizanit, por tashmë ai do të takohet fillimisht me drejtuesit e klubit të Vllaznisë, teksa ndoshta pas këtij takimi, mund të ketë një vendim përfundimtar nga ana e tij.

Në fakt, Fjoart Jonuzi dhe Partizani kanë avancuar në bisedime gjatë ditëve të fundit. Të kuqtë i kanë bërë ofertë konkrete mesfushorit, i cili e ka deklaruar edhe disa ditë më parë se ka interes nga klube elitare në vendin tonë.

Gjithsesi, mesfushori nuk e ka marrë vendimin përfundimtar dhe ka programuar edhe një takim të fundit me drejtuesit e Vllaznisë, që i kanë ofruar rinovimin. Kështu, mbetet për t’u parë në ditët në vijim e ardhmja e mesfushorit kuksian, Fjoart Jonuzi.
Maringlen ZHIVANI