Viti 2021 nuk ka qenë edhe aq i mirë për Eraldo Çinarin. Ish-sulmuesi i Vllaznise dhe Partizanit, nuk po luan aq rregullisht sa kishte shpresuar kur iu bashkua Samsunspor në kategorinë e dytë turke, duke u kthyer në një lojtar stoli. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai po e mbyll vitin i infektuar përsëri me COVID.

Sipas asaj qe raporton “Panorama Sport”, klubi i Samsunspor bëri të ditur para ndeshjes ndaj Istanbulspor më datë 20 dhjetor se kishte tre lojtarë me simptoma të lehta të cilët ishin larguar nga skuadra dhe izoluar për shkak të COVID.

Sipas “7/24 Gundem”, portal lokal në qytetin e Samsun, Çinari është një nga këta tre lojtarë dhe kjo shpjegon edhe më mirë pse ai mungoi në listën e ekipit në sfidën ndaj Istanbulspor e këtë të sotmen ndaj Tuzlaspor.

Për Çinarin, kjo rezulton të jetë hera e dytë që ai infektohet me COVID-19. Herën e parë, ai u infektua në korrik 2020, kur ishte ende pjesë e të kuqve dhe kur klubi u kthye në një vatër infektimesh që përfshiu pjesën më të madhe të lojtarëve.