Vllaznia po kalon një formë shumë të mirë në këtë fillim viti 2023. Shkodranët pas fitores në shifrat 1-2 përballë Partizanit në kampionat, arritën edhe dje të merrnin një sukses.

Kësaj rradhe në kupë përballë Bylis në ndeshjen e parë të raundit të 1/8. Kuqeblutë fituan 0-2 në Ballsh duke hedhur kështu një hap goxha të sigurtë për kualifikimin.

Kështu të besuarit e Joses duket se po krijojnë një vazhdimësi që ka munguar ndoshta në periudhën e parë të sezonit dhe kjo ka ndikuar edhe në ecurinë e skuadrës. Por me rikthimin nga pushimet duket se motivimi dhe grinta e futbollistëve kuqeblu është në nivelin e duhur. Duke mos diskutuar këtu cilësitë që të gjithë i njohin për futbollistët e Vllaznisë.

E duket se kjo performancë e mirë e futbollistëve, mund të ketë vendosur në ‘siklet’ edhe trajnerin Josa. Vetë kryeqytetasi e pranoi dje pas ndeshjes me Bylis që nuk i ka dhënë aq sa ka merituar një lojtari si Çoba, që po kalon një formë shumë të mirë. Por përveç mëngjërashit një ndeshje të mirë kundër Bylis zhvilloi edhe portieri Qarri.

Në dy-tre raste gardiani ishte vendimtar me pritjet e tij. E ndërsa po ashtu golin gjeti edhe Kaina, që rrjetat e fundvitit në 2022, po i shoqëron edhe në vitin 2023. Duke bërë kështu që edhe pas ardhjes të Balajt, ai të pretendojë për një fanellë titullari.

Patjetër që ‘probleme’ të tilla kërkon ti ketë çdo trajner, për të pasur çdo futbollist në formën maksimale dhe të gatshëm në momentin kur kërkohet të jepet kontributi i tij.
Endri ÇINARI