Ndeshja dhe fitorja me Kukësin patjetër që ka ngritur në qiell moralin tek ekipi i Vllaznisë. Kuqeblutë triumfuan në transfertë me rezultatin 0 me 1 falë një goli të shënuar në mënyrë spektakolare nga ana e Esin Hakajt.
3 pikë shumë të rëndësishme këto në garën për kreun dhe pse jo edhe për titullin kampion, pavarësisht se në kampin shkodran për momentin duan që ta mbajnë euforinë në dozat sa më të vogla.
Një nga ata që shkëlqeu përveç Hakajt që vendosi me rrjetën e tij ishte edhe Rejan Alivoda. Tashmë aspak një surprizë pasi djaloshi shkodran që ndoshta e fitoi vendin e titullarit pas dëmtimeve të disa futbollistëve nuk duket se do e lëshojë atë dhe po e meriton në fushë falë nivelit që po tregon nga java në javë. Në takimin e fundit kundër Kukësit pamë që 19 vjeçari ishte ndoshta në një pozicion tjetër nga ajo se çfarë ishim mësuar ta shihnim zakonisht.
Ish kapiteni I Vllaznisë u-19 ishte disi më i avancuar në takimin kundër verilindorëve madje edhe duke iu afruar shumë golit në më shumë se dy momente. Kjo duke bërë që Alivoda të shpalosë ato aftësi për të cilat flasin gjithë specialistët e futbollit në qytet. Por nëse ka një meritë në këtë performancë të mesfushorit përveç aftësive të tij apo edhe besimit të stafit është edhe Lorik Boshnjaku.
Rikthimi i kosovarit nga dëmtimi duket se ka sjellë rregull në mesfushën e Vllaznisë dhe futbollistët e tjerë kanë lirshmërinë për të vepruar në fushën e lojës. Kjo pasi ‘punën e pisët’ e kryen ish-kapiteni i Prishtinës.
Eksperienca e tij patjetër që e ndihmon një të ri si Alivoda dhe i jep atij besimin e duhur për të shfaqur akoma më shumë nga potenciali i tij. Epo në fund të fundi çdo lojtar klasi e ka edhe një ‘truprojë’, që Boshnjaku po e kryen siç duhet në ndihmë të skuadrës dhe tek shkodranët kanë gjetur binomin e duhur në mesfushë me dyshen Alivoda-Boshnjaku.
Endri ÇINARI