Gazetari i sportit, Edi Hajdini, në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli për lëvizjet në merkato, nga skuadrat shqiptare.
Hajdini deklaroi se po studiohet tregu vendas, ndërsa shtoi se klubet po mundohen të tregohen të kujdesshme në lëvizjet që bëjnë, në mënyrë që të mos gabojnë si në të kaluarën.
Kriza nga pandemia, duket se ka lënë shenjë. Klubet nuk po tentojnë të marrin lojtarë me shifra marramendëse. Duket edhe një lloj ndërgjegjësimi te drejtuesit, ku lëvizjet janë të kujdesshme. Mundohen të mos bëjnë si vitet e kaluara. Skuadrat tona kanë arritur në një fazë të tillë, ku nuk u lejohen hapat fals në merkato, që mund të kushtojnë në financa. Momentalisht po studiohet tregu vendas. Kjo është lëvizja që po bëjnë të gjitha skuadrat.
Sipas Hajdinit, Tirana do e kalojë turin e parë në Champions League, ndërsa më tej tha se largimi i Hoxhallarit ka lënë një boshllëk të madh. Në lidhje me Partizanin, ai u shpreh se të kuqtë më shumë kanë përfituar nga largimi i Stenio Junior, por shtoi se nuk e kupton rikthimin e Romero.
Kjo është edhe një nga arsyet, pse skuadrat nuk po bëjnë afrime të shumta. Në fakt, situata e Tiranës, është e tillë. Nisën fazën përgatitore më herët se të tjerët. Kanë bërë lëvizje në merkato. Në fillim u largua Hoxhallari, i cili la një boshllëk në skuadër. Shehi dhe drejtuesit po mundohen ta mbyllin këtë vend. Jam i bindur që me skuadrën që ka, Tirana e kalon turin e parë në Champions League.
Nuk e dinë se çfarë kanë parasysh drejtuesit e Partizanit, që rikthyen Romeron, pasi vështirësia me të, ka qenë karakteri. Nuk e shikoj ndonjë goditje të madhe, afrimin e tij. Telushi pavarësisht se është i dëmtuar, është një lojtar që dëshiron të jetë me çdo kusht në formacion. Jep maksimumin për të luajtur. Largim i rëndësishëm mund të quhet Stenio Junior, por besoj se sulmuesit e tjerë do bëjnë që të mos ndihet mungesa e tij. Ishte brazilian, por nuk tregoi asgjë si brazilian. Mendoj se Partizani del i fituar nga ky largim.
Për Laçin, Hajdini tha se kanë pasur largime të rëndësishme, ndërsa Vllaznia më shumë është fokusuar te rinovimet.
Laçi ka pasur largime të rëndësishme. Kanë marrë një sulmues, ku nuk mendoj se kishin nevojë. Në repartet e tjera, është më keq situata. Presidenca e Laçit po lëviz fortë në merkato, për të marrë futbollistë të mirë. Kurbinasit duhet të ndërhyjnë në merkato me çdo kusht. Do jenë të kujdesshëm në lëvizjet që do bëjnë.
Skuadra e Vllaznisë, nuk ka qenë shumë aktive. Më ka bërë përshtypje rinovimi i kontratave në skuadër. Gurishta është një pikë shumë e rëndësishme e skuadrës. E kanë kërkuar shumë klube në Superiore. U rinovua me Hakajn për dy vite, goditje e duhur. Largimi i Krymit do të lërë një boshllëk të madh te Vllaznia. Megjithatë pritet që Josa të bëjë një skuadër kompetitive.
Deri tani, Teuta është skuadra më pak aktive për sa i përket blerjeve. Trajneri Arapi, është duke parë për përforcime të rëndësishme. Pritet të afrojë në skuadër, elementë të rinj. Teuta nuk po arrin të gjejë, futbollistë nga akademia, që mund të garantojnë vazhdimësinë.
Hajdini u shpreh gjithashtu se situata te Erzeni nuk është e qetë, pasi në klub ka shumë probleme.
Puna e Erzenit është shumë serioze. Deri në këtë moment, situata nuk është e qetë. Nuk ka një akord mes drejtuesve, stafit, lojtarëve. Nuk dihet çfarë do të bëhet. Kanë edhe probleme financiare. Kjo bën që Erzeni të jetë një nga kandidatet për të rënë, ende pa nisur kampionati. Momentalisht situata aty, është problem.