Thursday, March 19, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREPerformancë dhe notë e shkëlqyer, Mario Mitaj 'mahnit' para ndeshjes me Poloninë

Performancë dhe notë e shkëlqyer, Mario Mitaj ‘mahnit’ para ndeshjes me Poloninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Mbrëmja e kupës në Arabinë Saudite solli emocione të mëdha, por edhe një tjetër konfirmim për formën në rritje të mbrojtësit shkodran Mario Mitaj. 22-vjeçari zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në gjysmëfinalen mes Al Kholood dhe Al Ittihad, duke qenë një nga pikat më të forta të skuadrës së tij, pavarësisht eliminimit dramatik pas goditjeve të penalltive.

Ndeshja ishte spektakolare nga minuta e parë deri në fund, me kohën e rregullt dhe atë shtesë që u mbyllën në barazimin 2-2. Të dy ekipet dhuruan ritëm të lartë dhe raste të shumta, por në fund fati buzëqeshi për kundërshtarët e Mitajt, të cilët siguruan biletën për në finale vetëm nga pika e bardhë.

Megjithatë, performanca individuale e Mitajt nuk kaloi pa u vënë re. Mbrojtësi i majtë kuqezi ishte i palodhur në fazën mbrojtëse dhe mjaft aktiv edhe në ndërtimin e aksioneve, duke treguar qartësisht pjekuri dhe personalitet në një sfidë të një niveli të lartë. Ku madje mëngjerashi ishte i saktë në goditjen e tij edhe gjatë llotarisë së 11 metërshave. Paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga Flashscore, një tregues i qartë i ndikimit që pati në fushë.
Vetëm Steven Bergwijn arriti të marrë një vlerësim më të lartë, me notën 9, duke qenë lojtari më i spikatur i takimit.

Kjo e vendos Mitajn në një elitë performance për këtë përballje, duke konfirmuar potencialin dhe rëndësinë që ai ka për skuadrën e tij.
Përtej eliminimit, kjo ndeshje përbën një sinjal shumë pozitiv për kombëtaren shqiptare. Në prag të përballjes vendimtare ndaj Polonia më 26 mars, forma e shkëlqyer e Mitajt është një lajm i mirë për trajnerin dhe tifozët kuqezi, të cilët presin shumë nga brezi i ri.

Nëse vijon me këtë ritëm dhe besim në vetvete, Mario Mitaj pritet të jetë një nga elementët kyç në repartin defensiv të Shqipërisë, duke dhënë siguri në prapavijë dhe energji në krahun e majtë – një armë e rëndësishme në sfidat që e presin Kombëtaren.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments