Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar me sukses edicionin e 18-të të kursit për licencimin e trajnerëve të rinj të nivelit UEFA A, që është niveli i dytë për nga rëndësia pas licencës UEFA PRO. Ky kurs që nisi në muajin janar, duke zgjatur kështu për gjashtë muaj, i dha mundësinë të gjithë trajnerëve të regjistruar të ndjekin dhe të mësojnë nga një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja dhe UEFA.

Kursi për licencimin e trajnerëve për nivelin A është mjaft i rëndësishëm, pasi është një licencë që e zotërojnë të gjithë zëvendës-trajnerët e Superiores, teksa është e detyrueshme për të gjithë trajnerët e ekipeve të para dhe skuadrave U-21, U-19, e kështu me radhë në futbollin profesionist.

Në këtë edicion u aplikua një formë tjetër e dhënies së kursit, ashtu sikurse edhe edicionin e kaluar, ku sipas udhëzimeve të UEFA-s, trajnerët ndoqën leksionet jo në një bllok prej 7 javësh, duke u larguar nga skuadrat e tyre, por ndoqën kursin në harkun kohor të gjashtë muajve në periudha të ndryshme, 7-10 ditëshe për t’i implementuar njohuritë e marra në skuadrat e tyre.

Ditën e sotme u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit në ambientet e Shtëpisë së Futbollit teksa të pranishëm ishin edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu, si edhe dy drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj.

Më tej, të gjithë pjesëmarrësit që ishin pjesë e këtij kursi dhe kaluan me sukses provimin përfundimtar u pajisën me diplomat e nivelit A, ku morën pjesë edhe tre shkodranë. Bëhet fjalë për ish- futbollistin e Vllaznisë dhe te kombetares shqiptare Gilman Lika, per Klazer Shkembi dhe trajnerin e Akademise Vllaznia Gjengiz Bandula.