Pero Pejiç vazhdon të mbetet i lidhur me kampionatin shqiptar. Ish-sulmuesi kroat i Dinamos, Tiranës, Skënderbeut dhe Kukësit ka lënë gjurmë në futbollin tonë duke shënuar 125 gola me skuadrat shqiptare dhe duke fituar tituj.
Sot ai aspiron të bëjë rolin e trajnerit, madje në intervistën për “Panorama Sport” thotë se një ditë mund të rikthehet të punojë në Shqipëri, ndoshta edhe si drejtor i ndonjë klubi. Pejiç analizon me detaje gjendjen e kampionatit dhe bën tifo për Kukësin në duelin e vështirë me Tiranën, ndonëse ka veshur edhe fanellën e bardhebluve.
Sa e keni ndjekur kampionatin?
Kam parë disa ndeshje dhe duke qenë se shumë skuadra janë afër njëra tjetrës, titulli është realisht një garë e hapur. Mendoj se kështu do të jetë deri në fund.
Si e parashikoni ndeshjen Kukësi-Tirana?
Mendoj se kjo është një ndeshje shumë e fortë. Është si derbi… Kemi të bëjmë me dy skuadra shumë të mira dhe me klube që kanë investuar shumë. Në fushë do ta fitojë ndeshjen ai që gabon më pak. Ne e dimë që në një ndeshje të rëndësishme, një gabim mund të vulosë ndeshjen.
Cili mund ta bëjë diferencën në këtë supersfidë?
Sulmuesit duhet ta bëjnë diferencën. Nëse dëshiron patjetër që ta fitosh një ndeshje, atëherë janë ata që duhet të bëjnë diferencën.
Ju keni qenë pjesë e të dyja ekipeve, Kukësit e Tiranës… Për cilën do bëni tifo këtë ndeshje?
Unë kam luajtur me të dyja klubet dhe kam kaluar shumë mirë. Por preferoj Kukësin, edhe për shkak të një lidhjeje të ngushtë që kam me presidentin e këtij klubi. Flas shpesh me të. Por Tiranën e respektoj sepse ka 24 tituj kampionë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Tashmë që jeni pajisur me licencën UEFA A për trajning, keni pasur oferta nga Shqipëria?
Mund ta shohim një ditë Pejiçin si trajner në Superiore? Përfundova kursin për UEFA A dhe tani më ka mbetur vetëm “UEFA Pro”. Po pse jo, një ditë ndoshta mund të trajnoj edhe në Shqipëri. Por nuk mund të kufizohem vetëm me detyrën e trajnerit, mund të bëj edhe rolin e drejtorit.