Vllaznia arriti të fitonte në shifrat 1-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të kupës kundër Flamurtarit. Kuqeblutë morën një sukses të rëndësishëm në transfertë, që shërbeu në njëfarë mënyre të thyente edhe mallkimin e barazimeve. Tashmë kampionati do rikthehet sërish të dielën dhe shkodranët e gjejnë veten sërish në transfertë.
Do luhet kundër Kastriotit për raundin e 18-të të kampionatit. Një ndeshje aspak e lehtë, pavarësisht se krutanët janë në vendin e fundit të renditjes. Por në këtë 2022 po gëzojnë një formë të shkëlqyer ku kanë mposhtur Teutën me rezultatin 2-0 dhe kanë ndalur Partizanin në një barazim 0-0.
Skuadra e drejtuar tashmë nga ish-mbrojtësi, Emiljano Çela po tenton medoemoes të marrë sa më shumë pikë për mbijetesën. Por edhe Vllaznia nga ana e saj kërkon të konkretizojë në pikë lojën e mirë që ka zhvilluar në javët e fundit. Përqendrimi kalon totalisht tek ndeshja e fundjavës.
Thomas Brdariç dhe stafi i tij patjetër që po mendojnë për mënyrën se si të marrin 3 pikët kundër Kastriotit. Një kundërshtari që asnjëherë nuk mund të quhet i lehtë. Kjo vetë nga mënyra se si luan në fushën e lojës, por edhe nevojën jetike të krutanëve për të marrë pikë.
Endri ÇINARI