Jemi mësuar që prej vitesh në Shkodër, të kemi dy emra të njohur në trajnimin e portierëve, Paulin Ndoja dhe Avenir Dani. Ato kanë punuar edhe me ekipet e para, por ndërkohë që përveç tyre, ka vite që po punon me shumë pasion edhe i mirënjohuri, Ideal Lekiqi, aktualisht trajner i portierëve të Vllaznisë.
Në fakt, ai nuk ka patur asnjëherë dëshirë të bjerë në sy për atë çfarë bën në punën e tij, qoftë me portierët me eksperiencë apo qoftë edhe me elementin e ri.
Lekiqi ka qenë portier në karrierën e tij sportive dhe ka luajtur edhe me Vllazninë, për të vijuar pastaj me ekipe të tjera më të vogla, por duhet thënë se karrierën si trajner, e ka nisur më mirë dhe po shkon gradualisht në nivele të larta.
Ai i ka ngjitur shpejt shkallët e karrierës. Lekiqi e ka filluar tek Ada, ka kaluar tek Akademia Vllaznia, vazhdoi tek Besëlidhja, për t’u rikthyer sërish tek Akademia Vllaznia më pas.
Megjithatë, jo vetëm kaq. Lekiqi ka qenë edhe në stafin e ekipit kombëtar. Ai, përveç se ka punuar me Kombëtaret rajonale të moshave, ka qenë edhe si trajner portierësh në Kombëtaren U-17 të Shqipërisë, bashkë me trajnerin Elvin Beqiri, teksa e bëri me shumë pasion punën e tij, por hoqi dorë, duke nisur nga angazhimet e shumta.
Më pas, Lekiqi do të rikthehej sërish në Shkodër. Tashmë, më konkretisht tek ekipi i parë i Vllaznisë, ku vijon për të gjashtin vit rradhazi. Karriera e tij duket gjithnjë në rritje dhe me siguri që ai do të ndjekë rrugën e paraardhësve të tij, Paulin Ndoja dhe Avenir Dani, të cilët kanë qenë ndër trajnerët më të mirë të portierëve në Shqipëri.
Padyshim që, rasti i profesor Ideal Lekiqit është shembulli i pasionit dhe përkushtimit, me të cilin secili trajner duhet të punojë dhe kur ndodh kështu, padyshim që edhe frytet do vijnë.
Maringlen ZHIVANI