Nëse flasim për sportin në Shkodër në vitet ’50-’60, një nga emrat e spikatur padyshim që ka qenë edhe ai i Njazi Bushatit. Një sportist i cili ka arritur të shpallet kampion si në peshëngritje ashtu edhe në mundje.

Njazi Bushati ka lindur ne Shkoder me 22 dhjetor 1922 dhe karriera e tij sportive fillon në vitin 1948, ku falë talentit të tij dhe trupit të fuqishëm, merret me sportin e peshëngritjes dhe nisur edhe nga pesha e tij trupore, do të konkurronte me sukses në mes sportistëve më të fortë të Shqipërisë.

Sukseset e tij do të vinin shpejt dhe kjo do të pasqyrohej që në garat e para të organizuar në vendin tonë ku ai do të merrte pjesë. Në atë kohë në gara përdorej hekuri i vagonit 36 kg me ngritje me një dhe dy duar.

Në garat e zhvilluara më 1 maj 1949, Njazi Bushati do të thyente rekordet e para në këtë disiplinë. Rekordi i ri ishte që ky hekur 36 kg të ngrihej lart 19 herë. Në garat e zhvilluara në qershor vendosi një rekord të ri duke e çuar hekurin 25 herë dhe më 12 korrik 1949 vendos një rekord tjetër, duke e çuar hekurin plot 50 herë.

Ky rekordi i fundit do të mbeste përgjithmonë në histori sepse gara me hekurin e vagonit nuk do të zhvilloheshin më sepse më pas ata do të zëvendësoheshin me hekurin me bosht të thjeshtë olimpik.

Njazia do të vazhdonte stërvitjen intensive dhe merr pjesë në kampionatin e parë kombëtar të peshëngritjes që u zhvillua në Kuçovë në vitin 1949. Në këto gara ai do të thyente rekordin kombëtar që do të pasohej nga rekorde të tjera më vonë dhe konkretisht:

Më 09.10.1949 në shtytje 62 kg thyen rekord kombëtar

Më 25.12.1949 në shtytje 83.5 kg thyen rekord kombëtar

Më 14.10.1950 në shtytje 91 kg thyen rekord kombëtar

Më 02.12.1950 në shtytje 96 kg thyen rekord kombëtar, i cili nuk do të thyhej deri në vitin 1953

Në kampionatin e vitit 1952 në peshën e rëndë shpallet kampion 213 kg në tregarësh (66-61-86 kg)

Në kampionatin e vitit 1953 në peshën e gjashtë zë vend të tretë me 215 kg (65-70-80 kg)

Në kampionatin e vitit 1954 në peshën e rëndë shpallet kampion me 230 kg (70-70-90 kg)

Në kampionatin e vitit 1955 në peshën e rëndë shpallet kampion me 237 kg (77-70-90 kg)

Gjatë karrierës së tij në sportin e peshëngritjes Njazi Bushati ka thyer mbi 10 rekorde kombëtare.

Por falë fizikut të tij, Njazi Bushati gjatë këtyre viteve do të vazhdonte përveç sportit të peshëngritjes, edhe atë të mundjes sepse rregulloret e asaj kohe e lejonin një gjë të tillë. Do të ishte mundës i shoqërive “Puna” dhe “Spartak” duke u shpallur 2 herë kampion në peshë të rëndë, pikërisht në vitet 1956 dhe 1957 teksa konkurron në peshën e tetë, atë +87 kg ndërkohë që stërvitej me trajnerin Qazim Elbasani.

Njëkohësisht do të merrte pjesë edhe sportin e boksit duke u shpallur 2 herë kampion kombëtar me të rinjtë.

Pas lënies së sportit, Njazi Bushati do të vazhdonte karrierën si trajner si në mundje ashtu edhe në peshëngritje. Tek mundja do të vijonte punën si trajner deri në vitin 1963 duke i lënë vendin më pas Sul Ramës dhe vijon të punojë si trajner i të rinjve të peshëngritjes së Vllaznisë. Ka fituar titujt “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Merituar Sporti”. Është ndarë nga jeta më 30 prill 1993.
Përgatitën: Bajram Agovi & Gjergj KOLA