Mbrojtësi Esin Hakaj ka besimin e plotë se Vllaznia do të arrijë maksimumin ndaj Dinamos. Sfida me dinamovitët do të luhet nesër dhe për këtë takim kuqeblutë do të kenë jo pak, por tri mungesa të sigurta.

Megjithatë, për mbrojtësin që kthehet në këtë ndeshje pas pezullimit nga kartoni i kuq që mori ndaj Partizanit, një gjë e tillë nuk duhet që të ndikoj tek objektivat e Vllaznisë. Sipas Hakajt, ekipi nuk do t’i ulë aspak ritmet për të siguruar minimalisht biletën për Kupat e Europës përmes kampionatit.


Ishit i pezulluar nga kartoni i kuq ndaj Skënderbeut, si e përjetuat si sportdashës këtë takim?

Kam përjetuar emocione mjaft të mëdha. Ishte hera e parë për mua që shikoja ekipin që bëj pjesë e për më tepër ekipin tim të zemrës Vllazninë pa qenë i pranishëm në fushë. Emocionet ishin më të mëdha sesa ku je në fushën e lojës. E kam përjetuar me ankth atë takim.

Vllaznia sërish nuk arriti të fitonte, çfarë nuk shkoi?

Kjo nuk ishte për fajin tonë. Mendoj se te Vllaznia, përveç mungesës së fatit, po ndikojnë edhe gjykimet. Te ky takim ndikoj gjykimi, terreni dhe fati që nuk ishte në anë tonë. Mendoj se në atë takim lamë dy pikë që na takonin.


Por nuk është takimi i parë që Vllaznia lë pikë të tilla…

Kjo është shumë e drejtë. Jemi ekipi kampion o barazime. Shumë prej tyre mund të ishin fitore dhe ne do të ishim pretendent kryesor për titull kampion. Për fat të keq, kemi lënë shumë pikë rrugës dhe kjo na ka bërë që të jemi në të tilla pozita.


Titulli tani duket larg…

Ne do të vazhdojmë punën tonë. Nuk duhet që të dorëzohemi deri në fund. Të kërkojmë maksimumin në çdo ndeshje dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë. Ne duhet që të bëjmë maksimumin që Europën ta kërkojmë përmes kampionatit.


Të enjten përballë Dinamos, si e shikoni këtë takim?

Çdo takim është i vështirë. Si në fushën tonë e po ashtu edhe jashtë Vllaznia ka hasur përherë ekipe të forta. Dinamo, pavarësisht pozicionit ku ndodhet, ka një skuadër të mirë. Ata do të kërkojnë medoemos që t’i shkëputen zonës së ftohtë. Prandaj, do të jenë shumë të motivuar në këtë përballje. Kjo nuk na pengon, madje na motivon edhe më shumë, që të japim maksimumin tonë në këtë takim.


Kërkoni maksimumin, por do të keni tri mungesa të rëndësishme…

Të tre lojtarët që do të mungojnë: Zogoviç, Gurishta dhe Da Silva, janë pikat të forta për ne, por ne jemi grup dhe jam i bindur se do të dimë si t’i mbulojmë mungesat dhe të marrim më të mirën në këtë takim.


A është fitorja objektivi i vetëm ndaj Dinamos?

Nuk ka asnjë dyshim. Ne do të hymë në fushë për të fituar, mjaft me barazime (qesh). Ne do të kërkojmë fitoren në këtë takim që të futemi sa më shpejt në treshen e parë.