Kur flasim për tenisin në Shkodër dhe Shqipëri, të gjithë ndalen tek një emër, i cili ka bërë për vete të gjithë. Kjo për vetë talentin që zotëron, por edhe sukseset e shumta që ka arritur edhe gjatë këtij viti, si në arenën kombëtare, ashtu edhe atë ndërkombëtare. Fjala është për shkodranen e talentuar të tenisit shqiptar, Gresi Bajri.

Ajo ka fituar turneun europian të 16-vjeçarëve, por edhe shumë aktivitete të tjera të zhvilluara gjatë këtij viti. Poashtu, është kampione kombëtare për të tretin vit rradhazi. Për të gjitha këto arritje, gazeta “Shkodra Sport” vendosi ta nderojë me çmimin “Personazhi i vitit 2022” tenisten Gresi Bajri.

Ndërkohë pas këtij çmimi, në një intervistë për “Shkodra Sport”, Bajri u shpreh se ishte një emocion i veçantë ky çmim i fituar prej saj, teksa e krahasoi atë me fitimin e një kampionati të rëndësishëm. Poashtu, tenistja shkodrane theksoi se viti 2022 që po lëmë pas ishte mjaft i suksesshëm për të.

-Jeni vlerësuar nga “Shkodra Sport” si “Personazhi më i mirë i vitit 2022”. Çfarë ndjesie përjetuat në atë ceremoni?

Ishte një nder shumë i madh dhe një emocion i veçantë. Ishte i njëjti emocion si të fitosh një kampionat të rëndësishëm, ku aty ishin të ftuar të gjithë ato figura të sportit ndër vite. Ndihem mirë që një sport si tenisi të njihet nga shkodranët dhe një ndër figurat përfaqësuese të jem unë.

-Gresi, duke qenë se jemi në periudhë fundviti, a keni bërë një bilanc të arritjeve tuaja gjatë këtyre 365-ditëve?

2022-shi ka qenë një vit i suksesshëm për mua. Ka qenë viti im i fundit me U-16 dhe jam krenare të them që kam përfaqësuar vendin tonë, por edhe veten me tre kampionate të fituara në rang ndërkombëtar.

Kam arritur të marr pjesë në disa kampionate shumë të rëndësishme dhe të konkurroj “Head to head” me teniste WTA. Megjithatë, një ndër sukseset e mia këtë vit quaj gjysmëfinalen dhe dy turnetë ndërkombëtare të fituara me grupmoshën U-18.

-Cili është urimi juaj për këto festa të fundvitit?

I uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe shpresoj që të gjithë sportistët që janë krah meje, të arrijnë të gjitha qëllimet e tyre këtë vit.

-Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja për vitin 2023?

Viti 2023 për mua do të fillojë që nga 16-janari, ku aty do të marr pjesë në kampionatin ITF U-18 për të parin vit. Ky kampionat do të jetë si një provë ndaj sezonit të stërvitjes dimërore. Këtë vit kam objektiv kryesor të ngre nivelin e performancës time dhe të arrij të kem një renditje të mirë në sistemin e ITF.

Shpresoj që të arrij të përfaqësoj vendin, por edhe klubin tim sa më mirë në kampionatet që do të zhvillohen. Gjithashtu, shpresoj të marr pjesë në turnetë ndërkombëtare për Adult, WTA, ku nga kualifikimet të dal në short kryesor dhe të arrij të fitoj pikën time të parë në renditjen e femrave.
Maringlen ZHIVANI