Shkruar nga Endri ÇINARI
Sulmi i Vllaznisë është pa diskutim pika më e fortë e skuadrës këtë sezon. Me 33 gola të shënuar në 25 javë kampionat, shkodranët kryesojnë renditjen për efikasitet ofensiv, duke u kthyer në ekipin me më shumë rrjeta të tundura në kampionat. Statistikat flasin qartë për një skuadër që e ka ndërtuar identitetin e saj mbi guximin dhe forcën sulmuese, duke qenë vazhdimisht kërcënuese për çdo kundërshtar.
Pas kuqebluve renditen Elbasani me 31 gola dhe Egnatia me 30 të tillë, çka tregon se gara për ekipin më produktiv është e fortë. Megjithatë, Vllaznia ka ditur të ruajë një marsh më shumë, sidomos në ndeshjet vendimtare, ku instinkti para portës ka bërë diferencën.
Ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm numri i golave, por mënyra sesi ato janë shpërndarë. Plot 12 futbollistë të ndryshëm kanë gjetur rrugën e rrjetës, një tregues i qartë i harmonisë dhe bashkëpunimit në repartin ofensiv. Nuk kemi të bëjmë me një skuadër që varet nga një emër i vetëm, por me një grup ku secili merr përgjegjësi dhe kontribuon në momentin e duhur.
Natyrisht, lideri i sulmit mbetet Bekim Balaj, i cili ka realizuar 12 gola, duke konfirmuar rolin e tij si pikë referimi në zonën kundërshtare. Pas tij vjen Sherif Kallaku me 5 gola, ndërsa Mala dhe Jago kanë kontribuar me nga 3 secili. Kastrati ka shënuar 2 herë, ndërsa nga një gol në llogarinë personale kanë shtuar Bajrami, Bismark, Dodaj, Hakaj, Gurishta, Murataj dhe së fundmi Tafili. Një panoramë që dëshmon për thellësinë dhe alternativat që ka skuadra në fazën sulmuese.
Kjo shpërndarje golash flet shumë për filozofinë e trajnerit Edi Martini, i cili ka ndërtuar një ekip ku besimi dhe liria në lojë përkthehen në produktivitet konkret. Vllaznia nuk sulmon me një lojtar, por me një mekanizëm të tërë që funksionon në sinkron. Dhe pikërisht ky diversitet në shënim është garancia më e madhe për vazhdimësinë e suksesit në javët e mbetura të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


