Sot u luajt edhe ndeshja e parë gjysmëfinale mes Vllaznisë dhe Egnatias. Takimi përfundoi në shifrat 1-1 dhe pati shumë emocione.

“Shkodra Sport” sjell edhe disa “të veçanta” të duelit të luajtur në orën 18:00.

-Nuk ka edhe aq shumë të pranishëm në shkallët e “Loro Boriçit”. Duke se rezultatet e fundit kanë zhgënjyer tifozët shkodranë.

-Bie në sy fanella e Vllaznisë për këtë ndeshje. Shkodranët janë veshur totalisht me të zeza, fanella që është përdorur në kupë këtë edicion.

-Ka 8 futbollistë shkodranë në fushën e lojës. 6 tek Vllaznia (Qarri, Hakaj, Gurishta, Marku, Alivoda dhe Balaj) dhe 2 tek Egnatia (Sherri dhe Fangaj).

-Gjyqtar kryesor i takimit është Kridens Meta. Ndaj të cilit ka një koment nga tifozët ku thonë: “Qenka arbitër ai që i nxjerr ndeshjet barazim”.

-Ka “drithërima” në stadium, Dwamena lëshon një “predhë” nga distanca, ku topi stampohet në traversën e Qarrit. Trajneri Sedloski në këtë moment kritikon lojtarët e tij pasi humbën topin në këtë aksion.

-Nuk ndalen në asnjë moment “Vllaznit ultras” që janë në mbështetje të skuadrës. Ndërsa nuk duket se ka pasur tifozë që të kenë udhëtuar nga Rrogozhina drejt Shkodrës.

-Nuk mungojnë as batutat e tifozëve shkodranë për dyshen e brazilianëve të Egnatias, Fernando dhe Jackson. Ku një prej tyre ia pret: “I kanë lyer flokët si Luizi”.

-2-3 pasime të gabuara të lojtarëve të Vllaznisë irritojnë shumë stafin kuqeblu. Kërkojnë më shumë përqendrim tek futbollistët.

-Shumë i qetë trajneri Tetova i Egnatias, që qëndron gjithmonë buzë fushë duke qenë shumë i përqendruar tek takimi.

-Duartroket i gjithë stadiumi në momentin kur Balaj lë fushën për Kainan.

-Pllakos heshtja në “Loro Boriçi”, shënon Egantia me Dwamenan, që dërgon në delir stolin rrogozhinas. Ndërsa pankina kuqeblu ka zhgënjim total duke u ulur të gjithë në stol.

-Tifozët shkodranë duartrokasin edhe Dwamenan në momentin kur ky i fundit zëvendësohet. Duke e vlerësuar kështu për perfomancën e tij.

-Ka festë në limite tek Vllaznia sepse Hoxhaj gjen golin e barazimit në sekondat të fundit të lojës. Kjo pas një krosi perfekt të Latifit.

-Mbyllet 1-1 në fund, rezultat që lë gjithçka të hapur për kualifikimin në finale.