Edicioni 2023-24 i Superiores ngriti siparin sonte për Vllazninë. Shkodranët në javën e parë të sezonit u përballën me Kukësin. Ku në fund rezultati i ndeshjes ishte 3-1 për shkodranët.
“Shkodra Sport” përveç pasqyrimit në kohë reale të takimit sjell edhe disa të veçanta të ndeshjes debutuese të kuqebluve.
-Në 15 minuta para nisjes së ndeshjes prozhektorët e “Loro Boriçi” fiken. Mes tifozëve ka edhe batuta duke e cilësuar se është për të larguar syrin e keq.
-Topin e parë të sezonit në Shkodër e ka shkelmuar Rudi Vata. Ish-mbrojtësi shkodran i kombëtarese e po ashtu kapiten i saj.
-I veçantë një grup turistësh të huaj, të cilët ishin të pranishëm në stadium me fanella të Vllaznisë.
-Goli i parë i sezonit për Vllazninë vjen nga një qendër mbrojtës. Është Stojanovic që si një sulmues tipik shënon në zonë me kokë pas shërbimit nga Mala.
-Ka penallti për Vllazninë në minutën e 28-të e ndërkohë ka një diskutim Mala-Balaj se kush do godasë. Në fund “fiton” sulmuesi që e dërgon topin në rrjetën e Tafas.
-Pjesa e dytë nis menjëherë me zëvendësim te Vllaznia. Asani i lë vendin Hakajt, ku ky duket një vendim taktik i trajnerit Memellit dhe jo se lojtari kishte ndonjë shqetësim fizik.
-Nis me gol pjesa e dytë e Vllaznisë ku shënon Boshnjaki. Kosovari ka një dedikim për golin ndaj bashkëshortes së tij që është shtatzënë. Duke e bërë të veçantë golin e tij.
-Shumë aktivë dy trajnerët Memelli dhe Hallaçi që nuk ndalen në asnjë moment me udhëzimet ndaj skuadrave të tyre.
-Ka një performancë prej atyre që quhen “pyro show” nga ana e grupimit Vllaznit ultras. Që nxisin atmosferën në stadium.
-Ovacione të shumta nga tifozët për Malen dhe Gruden në rastin kur këta të fundit lënë fushën për Dragoshin dhe Salen.
-Në fund mbyllet 3-1 për Vllazninë që i bën një start shumë pozitiv sezonit përpara tifozerisë së saj.