Sonte u luajt edhe ndeshja e javës së 20-të të Superligës mes Vllaznisë dhe Teutës. Takim që u mbyll me rezultatin 4-2 në favor të kuqebluve shkodranë.
“Shkodra Sport” iu sjell disa nga “pikantet” e sfidës mes kuqebluve dhe durrsakëve.
-Një numër i kënaqshëm tifozësh në stadium. Duket se ndeshja kundër Teutës ka sjellë interes për mbështetësit shkodranë.
-Disi habi bën fakti se në stol është Mevlan Adili. Titullari i padiskutueshëm nuk është preferuar që nga fillimi për këtë takim, kjo edhe për shkak se nuk e ka pasur përgatitjen e plotë stërvitore për këtë ndeshje.
-Ndeshja fillon menjëherë me entuziasëm, ku Latifi gjen golin ende pa u mbyllur sekonda e 50-të e takimit.
-Tifozët e Vllaznisë “ndezin” “Loro Boriçin” ku me flakadanë kuqeblu krijojnë një atmosferë festive në shkallët e stadiumit.
-Shënon Diagne, qendërmbrojtësi senegalez dedikon golin djalit të porsa lindur. Këtu duke marrë edhe përgëzimet e gjithë shokëve që i bashkohen festimit të afrikanit.
-Fenomenal aksioni i golit të tretë të Vllaznisë i shënuar nga Latifi sërish. Meritat më të mëdha shkojnë për Da Silvan i cili nisi aksionin dhe mbeti i dëmtuar në mesfushë nga një ndërhyrje e ashpër e durrsakëve.
-Shënon “ish-i” i sfidës, Rubin Hebaj gjen golin kundër ish-skuadrës së tij, Vllaznia.
-Renato Arapi, trajneri i Teutës shihet shpesh duke u konsultuar me ndihmësin e tij, Bledar Hodo. Ky i fundit në të shkuarën ka luajtur edhe me Vllazninë në karrierën e tij.
-Tifozët kapen shpesh me Aleksin, të cilin e vërshëllejnë thuajse në çdo prekje të topit të mesfushorit.
-Brdariç dhe stafi i Vllaznisë duan ndishkimin me karton të kuq të Avdylit. I cili ndërhyn ashpër kundër Gurishtës, por Jorgji tregon vetëm të verdhin për mesfushorin e Teutës.
-Mbyllet me një spektakël golash pjesa e parë në shifrat 3-2 për Vllazninë kundër Teutës. Vetëm ndeshja Laçi-Vllaznia (3-3) në pjesën e parë të ndeshjes së fazës së parë ka pasur më shumë gola.
-Ndryshon sistemi i lojës së Vllaznisë me fillimin e pjesës së dytë. Adili në vend të Mustedanagiç bën që skema nga 4-3-3 të shkojë në 3-5-2 me hyrjen e shkupjanit.
-Duartrokitje dhe ovacione nga publiku shkodran ndaj Diagne, në momentin kur ky i fundit lë fushën për tu zëvendësuar nga Kruja.
-Spetakolar Fjoart Jonuzi, i cili kopjon veten me një gol si ai kundër Dinamos në fazën e parë. Kuksiani dërgon në delir gjithë stadiumin.
-Duartrokitje për “djalin e shtëpisë”, Rubin Hebaj në momentin që zëvendësohet. Sulmuesi iu kthen duartrokitjet tifozëve shkodranë.
-Ka një ngatërresë në fund mes futbollistëve të të dy skuadrave. Kjo pasi L.Vila i kthehet duke fyer tifozët shkodranë e ndërsa kapiteni Gurishta i kërkon llogari durrsakut për këtë veprim.
-Në fund ka gëzim tek Vllaznia që tashmë pas humbjes kundër Laçit, arrin të reagojë kundër durrsakëve me fitoren 4-2. Nga ana e tyre thellohet kriza e “djemëve të detit”.
Endri ÇINARI