Përballja e nesërme ndaj Teutës konsiderohet shumë delikate për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat. Stafi teknik me në krye trajnerin Gjoka kanë punuar shumë gjatë këtyre ditëve për të ndryshuar disa gjëra në skuadër dhe tashmë presin “testin e provës”.

Në konferencën e sotme për shtyp, numri 1 i pankinës së Vllaznisë duke folur për këtë takim do të shprehej: “Po punojmë për të shkuar tek ajo që kërkojmë të gjithë, tek fitoret të cilat do të sillnin më pas edhe qetësinë e duhur. Vetëm rezultatet pozitive stabilizojnë çdo gjë. Gjithsesi unë kam besim se gjërat do të shkojnë mirë. Ditët e fundit kemi patur disa probleme dëmtimesh sepse Krymi na ka ardhur i dëmtuar nga grumbullimi me Shpresat dhe kuptohet që kjo përbën një mungesë të rëndësishme për ne në këtë ndeshje. Sa i takon dëmtimit që ka patur Bardulla në kavilje, ai tashmë i ka kaluar dhe lojtari është bashkuar me grupin megjithatë ka ato problemet e gjendjes jo të mirë fizike shkaktuar nga mungesat në stërvitje për disa ditë. Të tjerët janë të gjithë ok”. Sakaq, i pyetur nëse ka arritur të ndryshojë diçka nga ana psikologjike gjatë këtyre dy javëve që skuadra ka qenë pushim, Gjoka është përgjigjur: “Po punojmë shumë në aspektin psikologjik. Po mundohemi të bindim futbollistët se mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe jo të kënaqen me mbijetesën. Janë probleme të mëdha këto që nuk janë krijuar sot por prej disa vitesh dhe kuptohet që nuk mbyllen menjëherë. Në rradhë të parë duhet të bindim vetem se nuk jemi skuadër për mbijetesë por për të parë përpara”. Vllaznia duket se e njeh mirë kundërshtarin dhe stafi i tij teknik ka marrë edhe masat sesi mund të kalohet me sukses ky kundërshtar e për këtë trajneri Gjoka shton: “Teuta është një skuadër e mirë. Edhe ajo po kalonte momente jo të mira por me fitoren shumë të rëndësishme që arriti në Gjirokastër në mesjavë, është më e qetë. Duhet t’i kemi kujdes disa pika të forta të skuadrës durrsake siç është faza sulmuese për shembull. Nëse e bëjmë mirë punën për ta bllokuar atë, atëherë duhet të mendojmë si të shënomë golin tonë në mënyrë që të dalim me sukses nga kjo ndeshje”. Në fund, trajneri i Vllaznisë është pyetur nëse do ishte i kënaqur me një apo tre pikë në “Niko Dovana” dhe ai është përgjigjur: “Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër, në çdo ndeshje kërkojmë të marrim vetëm maksimumin. Duhet të jemi të bindur për këtë gjë sepse i kemi shumë të domosdoshme pikët në këtë moment dhe ato do të kërkojmë t’i marrim që ndaj Teutës”.

© shkodrasport.com