Mbrëmë, Vllaznia luajti edhe ndeshjen e parë zyrtare të sezonit 2022-23. Shkodranët debutuan në edicionin e ri me ndeshjen e raundit të dytë të Conference League kundër Univ.Craiova. Takimi përballë rumunëve u mbyll në shifrat 1-1 , i zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.
“Shkodra Sport” sjell për lexuesit e saj edhe disa nga të “veçantat” e duelit mes dy skuadrave ballkanase.
-Si rrallë herë në stadiumet shqiptare ka një fluks tifozësh që 1 orë para ndeshjes. Edhe nxemja e ekipeve zhvillohet nën një atmosferë festive të sportdashësve shkodranë që kanë mbushur shkallët e “Loro Boriçit”.
-Ka një mbipopullim edhe në tribunën VIP të stadiumit. Ku përveç figurave të mirënjohura të futbollit shkodran ndër vite, vihet re edhe prania e figurave të politikës apo artit. I pranishëm edhe presidenti i FSHF, Armand Duka. Nuk mungojnë as futbollistët e Superligës dhe konkretisht të Partizanit si, Eneo Bitri dhe Valentino Murataj.
-Nuk mungojnë as tifozët miq që kanë udhëtuar nga Rumania në mbështetje të skuadrës së tyre.
-Në tribunën e medias ka një prani të madhe të gazetarëve nga Rumania. Si rrallë herë në ndeshje të tilla ka një interes kaq të madh nga mediat homologe të huaja.
-Mirel Josa irritohet në një çast me lojtarët e tij sepse nuk ekzekutojnë siç duhet një goditje standarte.
-Lorik Boshnjaku “rrëmben” duartroktijet e publikut shkodran për performancën e tij në pjesën e parë. Ku mesfushori ishte deçiziv disa herë në thyerjet e aksioneve të rumunëve.
-E pafat Vllaznia dhe Zogoviç në minutën e 43-të të ndeshjes, ku Ivan kalon në avantazh Craioven me anë të një penalltie. Gardiani malazez kupton krahun dhe madje e prek topin, por pa arritur të shmangë golin.
-E nis menjëherë me zëvendësime Vllaznia pjesën e dytë. Del nga loja Kruja për Hoxhajn dhe Heriç për Marku . Ka duartrokitje për Markun që rikthehet në Shkodër pas një sezoni tek Partizani.
-Super aksion i Vllaznisë me Çoben, Markun dhe Hoxhajn, ku ky i fundit dërgon topin në rrjetë për shifrat 1-1 dhe gjithë stadiumin në delir.
-Arbitri kryesor Mclaughin ndëshkon Vulajn me karton të verdhê. Lojtari nga Tuzi që po zhvillonte nxehmje pas portës së Zogoviç protestoi ndaj arbritrit pas një zënke të portierit kuqeblu me Ivan. Ndëshikimi i mesfushorit acaron tifozët që nuk janë dakord me gjyqtarin.
-Ovacione për Liridon Latifin në momentin kur ky i fundit po bëhet gati të hyjë në fushën e lojës. Prishtinasi që ka vuajtur së fundmi një gjendje jo të mirë shëndetësore zë vendin e Çobes që po ashtu largohet mes duartrokitjesh.
-Debutim absolut me fanellën e Vllaznisë për Rejan Alivoda. 19-vjeçari zbret në fushë duke marrë vendin e Jonuzit.
-Mbyllet gjithçka në shifrat 1-1 në fund, duke lënë kështu të hapur kualifikimin në takimin e kthimit javën tjetër mes Vllaznisë dhe Craiovas.
Endri ÇINARI