Sot u luajt sfida e javës së 35-të të Superligës mes Vllaznisë dhe Egnatias. Ndeshja përfundoi në shifrat 3-1 për shkodranët.
“Shkodra Sport” sjell edhe disa të “veçanta” të duelit që u zhvillua në “Loro Boriçi” në orën 17:00.
-Prani e pakët tifozësh në shkallët e “Loro Boriçit”. Duket se pushimi i fundjavës dhe rezultatet jo të mira të Vllaznisë kanë ndikuar tek mbështetësit e kuqebluve.
-Grupimi “Vllaznit Ultras” janë në numër të ulët. Kjo pasi disa prej tyre kanë udhëtuar drejt Durrësit për të mbështetur ekipin e basketbollit, Vllaznia kundër vendasve të Teutës.
-Ka një duartrokitje emocionale për Ndriçim Shtubinen. Mesfushori e mbylli me futbollin e luajtur pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”. Çimi siç e njohin të gjithë në Shkodër nuk arrin të mbajë as lotët pas përshëndetjes me tifozët kuqeblu. Ndërkohë ka edhe një dhuratë simbolike nga ana e presidentit Xhaferri për Shtubinen që i jep ish-kapitenit fanellën e Vllaznisë me numrin 10-të.
-Ndërkohë është debutimi në stol i Mirel Joses tek Vllaznia. Fakt që pritet me ovacione në stadium.
-Kapiteni Gurishta i pezulluar me kartona preferon ta ndjekë ndeshjen nga tribuna e gazetarëve. I shoqëruar edhe nga Matko Djarmati dhe Elvis Plori.
-Minuta e 22-të, Egnatia shënon për të dytën herë. Por sërish pozicion jashtë loje i rrogozhinasve dhe rezultati vijon 1-0 për Vllazninë.
-Të qetë dy trajnerët Josa dhe Ramadani. Të cilët shihen gjithmonë në këmbë duke dhënë udhëzimet përkatëse për skuadrat e tyre.
-Tifozët irritohen me altruizmin e tepruar të Aralices që kërkon të shërbejë Da Silvan në një moment kur kishte një pozicion të volitshëm për të goditur portën.
-“Shpërthen” Josa në një moment ku Jonuzi dhe Krymi e lënë topin vakant mes tyre. Përfiton Augusto që nis një kundërsulm të rrezikshëm që sjell edhe nervozizmin e trajnerit kryeqytetas.
-Duartrokitje për Ndriçim Shtubinen në momentin kur ku i fundit futet në fushën e lojës duke zëvendësuar Allmuçën. Menjëherë shkodrani merr edhe shiritin e kapitenit.
-Debuton Paulo Pjeshka, 19-vjeçari i akademisë merr minutat e para si profesionist në Superligë duke marrë vendin e Latifit në minutën e 89-të.
-Mbyllet 3-1 për Vllazninë, që merr kështu fitoren e parë këtë edicion kundër Egnatias. 3 pikë që lënë në garë shkodranët për një vend në Europë deri në javën e fundit të kampionatit.
Endri ÇINARI