Ndeshja Vllaznia- Partizani ka patur disa momente interesante te cilat i ka sjelle gazeta “Panorama Sport” dhe qe mund t’i lexoni me poshte:
-Presidenti Xhaferi dyfishon premion, që në nisje ishte 10 mijë euro për kualifikimin për në finale. Kapiteni Gurishta e ka konfirmuar një gjë të tillë para mediave. Lojtarët dhe stafi do të marrin 20 mijë euro.
-Trajneri Brdariç dhe djali i tij i urojnë Vllaznisë përmes rrjeteve sociale fitoren në takimin ndaj Partizanit. Në një postim të fotos së tij me të birin shkruhet: “Paç fat Vllaznia!” E kjo duket se ka rezultuar një urim me zemër të pastër.
-Ndryshe nga herët e tjera, tifozëria ishte më e zjarrtë dhe e shumtë në numër, duke iu përgjigjur thirrjeve të drejtuesve e lojtarëve kuqeblu. Rreth 4500-5000 të pranishëm, kur s’kanë munguar as rreth 100 tifozë të skuadrës së kuqe, të cilët kanë qenë shumë aktivë gjatë gjithë ndeshjes.
-Zëvendëstrajneri i ekipit kuqeblu, Ideal Lekiqi, ndjek nga tribuna e gazetarëve takimin. Ai është dënuar pas takimit të parë ndaj dy skuadrave në Elbasan. Ai s’i ka shmangur dot lotët, pasi Latifi shënoi penalltinë e pestë për Vllazninë.
-Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, e ndjek ekipin nga dhomat e mediave duke u larguar nga vendi i tij në tribunën VIP. -Një takim shumë miqësor mes dy trajnerëve Plori dhe Mehmeti para fillimit të takimit. Ndërsa nuk mungon as përshëndetja e Hakajt dhe Herald Markut me ishshokët e skuadrave të sezonit të shkuar.
– Dianje duket se s’ka pranuar një vend në pankinë. Ai nuk ka qenë fare i pranishëm në këtë sfidë. Nga sa mësohet, lojtari s’ka pranuar të jetë si zëvendësues në këtë ndeshje. Ai madje s’ka pranuar të jetë me ekipin pas grumbullimit, duke mos e ndjekur atë në takimin e mbrëmshëm. Vetë Plori theksoi se gjithçka do të sheshohet mes palëve në ditët në vazhdim.
-Një parullë te tribuna përkarshi, ku shkruhej “Zgjohuni”, duket se ka dhënë ndikimin e vet.
-Tifozët e kuq hapin një banderolë me portretin e legjendës Loro Boriçi dhe thërrasin emrin e tij në minutën e 49-të të takimit duke u shoqëruar edhe me duartrokitje nga tifozëria shkodrane.
-Një tifoz ngatërron trajnerin e Vllaznisë duke u drejtuar me fjalët: “Brdariç, nxirre nga fusha Latifin!” Dikush i kujton se tashmë drejton Plori dhe se trajneri gjerman është larguar nga shkodranët.
-Në momentin e festës së golit, Aralica bën shenjën e VAR-it dhe drejton gishtin në mesin e fushës, duke akorduar simbolikisht golin e tij, si një lloj ironie për golin e anuluar në Elbasan.
-Zogoviç gjithë kohës e trajton me dashuri topin, teksa sa herë e kontrollon, i dhuron puthje dhe përqafim. -Rrapaj, megjithëse nuk ishte rikuperuar plotësisht, luajti dje dhe pas një ore lojë, u dorëzua. Mjekët sinjalizuan zëvendësimin e tij, por vlonjati insistoi të mos dilte. Pas një minute Mehmeti e nxori.
-Skuka shpërthen në lot pas fundit të ndeshjes. Shokët e tij shkojnë ta ngushëllojnë dhe ta marrin për të përshëndetur tifozët, por dibrani kundërshton. Pas pak çastesh, në lot ai afrohet në tribunën e tifozëve të kuq dhe u kërkon ndjesë.