Nga Endri ÇINARI
Nëse ka nje vend apo stadium ku Vllaznia e ka të “pamundur” të lërë pikë, të paktën deri më tani në ndeshjet e zhvilluara në kampionat, ai është stadiumi “Loro Boriçi”. Shkodranët njohin vetëm fitore në ndeshjet shtëpiake të zhvilluara deri më tani në shtëpi, madje duke pasur përballë edhe emra si: Egnatia, Partizani apo edhe Elbasani. Megjithatë të besuarit e Martinit nuk kanë lënë qoftë edhe 1 pikë në Shkodër, duke qenë perfektë deri më tani.
Në këte mënyrë kuqeblutë kanë fituar 2-0 në shtëpi në debutimin e tyre në kampionat kundër Egnatias. Po ashtu forma e mirë e 9 herë kampionëve të vendit ka vijuar edhe në përballjen me Partizanin, ku ndaj të kuqve “triumfuan” me rezultatin 4-1. Vllaznia nuk ka njohur hap fals as në dy ndeshjet e fundit në Shkodër përballë Vorës dhe Elbasanit, duke fituar konkretisht me shifrat 2-0 ndaj vorakëve dhe së fundmi 1-0 ndaj verdhebluve.
Kështu shkodranët kanë 12 pikë nga 12 të mundshme në 4 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në shtëpi për edicionin 2025-26. Kuqeblutë kanë shënuar 9 gola e pësuar vetëm 1 të tillë në “Loro Boriçi”.
Duke qenë kështu të pamposhtur e duke i shndërruar duelet shtëpiake në pikën e tyre më të fortë dhe në një tabu për kundërshtarët. Të cilët pavarësisht emrit apo cilësive që kanë, nuk kanë mundur të marrin qoftë edhe një barazim deri në këtë pikë të kampionatit në vizitat e tyre në kryeqendrën e veriut.(www.shkodrasport.com)