Pasi dështoi në tentativën për të marrë vlonjatët Veliu e Zeqiri, drejtuesit e Vllaznisë pritet të bëjnë një surprizë të fundit nesër, pikërisht në ditën e fundit të merkatos. Ajo ka të bëjë me rikthimin e sulmuesit uruguajan Sebastian Soza. Lajmi konfirmohet nga burime pranë klubit shkodran. Gjithnjë sipas këtij burimi, sulmuesi 21 vjeçar që ka qenë edhe vjet pjesë e Vllaznisë, do të mbërrijë nesër në Shkodër për të firmosur kontratën e re me këtë klub. Ai do të huazohet nga ekipi i Empolit që ka në pronësi kartonin e tij dhe me marrjen e këtij futbollisti duket se në repartin e sulmit, kuqeblutë do të forcohen ndjeshëm. Soza bashkë me libanezin Kdouh por edhe me të rinjtë Çinari, Kiri e Kabuni do jetë në rregull në manovrën sulmuese megjithatë kuptohet që duhet pritur firma e uruguajanit për të thënë përfundimisht kështu sepse nga përvoja e mëparshme, ka ndodhur që shpeshherë futbollistët të ndërrojnë mendje. Gjatë sezonit të kaluar, Soza është aktivizuar në 19 ndeshje me Vllazninë duke arritur të shënojë 7 gola dhe paraqitjet e tij kanë qenë të pëlqyeshme. Me ardhjen e tij të mundshme edhe në sezonin e ri, pritet që ai të paraqitet më mirë sepse tashmë është ambjetuar me kampionatin shqiptar dhe do të ketë mundësi të tregojë siç duhet vlerat e tij.

www.shkodrasport.com