Humbja në derbi përballë Interit ka qenë shkatërrimtare për Milanin, që kishte shumë ambicie para sfidës por u dorëzua pa kushte ndaj kushërinjve zikaltër. Drejtuesit e klubit pas ndeshjes zbritën menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe Stefano Pioli ishte ai i cili u shfaq para mediave duke treguar zhgënjimin e tij me një justifikim paksa të çuditshëm.

“Në katër minutat e para e mbajtëm topin vetëm ne, më pas episodi i golit ishte një nga ata ku u treguan më të zgjuar se ne”, tha Pioli pas sfidës, teksa refuzoi edhe t’u kërkonte falje tifozëve ndonëse ky ishte një rezultat shumë i thellë dhe i papranueshëm për nivele të tilla.

“Unë nuk jam shumë dakord për gjëra të tilla. Pse, sipas jush ne deshëm që të humbnim derbin? Nuk ia dolëm dhe padyshim që kemi keqardhje. Sipas mendimit tim, duhet të kërkosh falje nëse ke dashur të bësh diçka të keqe. Ne kemi humbur 5 derbi, na vjen keq dhe do të mundohemi të bëjmë më mirë’, tha Pioli i cili shpjegoi edhe arsyen e vizitës së drejtuesve të lartë në dhomat e zhveshjes pas disfatës.

“Po, për të qenë të gjithë së bashku. Tani kemi përpara një ndeshje të rëndësishme dhe duhet të rinisemi”, tha Pioli.