Pëllumb Pipero mendon se stërvitjet në futboll duhej të kishin nisur më shpejt. Mjeku infeksionist pohon se zgjedhja për të mos bërë tamponë për lojtarët para se të rinisë sezoni më 3 qershor është normale.

Në intervistën për “Panorama Sport”, doktori i njohur saktëson se bërja e tamponëve nuk jep garanci 100 për qind se nuk ka lojtarë të infektuar. Ai është gjithashtu i mendimit që të mos ketë izolim të gjithë skuadrës nëse një futbollist mund të rezultojë pozitiv me “COVID-19” pasi të ketë rinisur sezoni.

Doktor Pipero sugjeron analiza shëndetësore të plota para fillimit të garës dhe i mbetet besnik idesë për reduktimin e minutazhit të ndeshjeve, të paktën në 2-3 javët e para.

Doktor, është vendosur që të nisë kampionati më 3 qershor. Në situatën ku jemi, juve si ju duket?

Për mua është normale. Duke parë rrethanat në të cilat ndodhemi, besoj se nuk ka ndonjë rrezikshmëri që të nisë futbolli, natyrisht pa tifozë. Madje unë edhe për stërvitjet kam qenë i mendimit që duhej të kishin filluar më herët.

Pse?

Sepse stërvitja e sportistëve dhe e futbollistëve në veçanti në ambient të hapur, fillimisht në mënyrë individuale dhe pas një periudhe të caktuar në grup, nuk është e rrezikshme. Gjithnjë duke iu referuar kurbës së infeksioneve në vendin tonë, por edhe rrezikshmërisë që paraqitet në ambient të hapur. Kontaktet janë shumë të pakta, grupi i sportistëve është i veçuar nga pjesa tjetër.

Pas takimit mes ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSHF-së u vendos që të mos bëhen tamponë për lojtarët para se të nisin ndeshjet. A ëhshtë normale kjo, ndërkohë që në të gjitha vendet e Europës po i mëshohet fort këtij detaji?

Unë mendoj se është më mirë që u vendos kështu. Pra, pa ua bërë domosdoshmërisht testet lojtarëve para se të nisin ndeshjet. Dhe jam gjithashtu pro formulës për të testuar vetëm ata që do të shfaqin shenja të virusit.

Pse mendoni kështu?

Ka disa faktorë. Vazhdoj të lexoj dhe të informohem rregullisht për të gjitha udhëzimet, apo përditësimet që bëjnë edhe ekspertët në Europë. Nuk mendoj se bërja testeve për të gjithë futbollistët para se të nisë kampionati do të ishte frytdhënës.