Pas takimit të djeshëm me përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë së Parë, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, u shfaq optimist për vazhdimin e garës.

Ai tha se klubet e të Parës janë në gjendje ta përballojnë situatën dhe të zbatojnë protokollin. Po ashtu, Shulku beson se edhe Kategoria e Dytë dhe moshat do ta mbyllin garën në fushë.

“Çdo gjë është në rregull edhe për Kategorinë e Parë nga ana jonë. Gjatë takimit nuk pati debate, vetëm disa klube kanë patur kërkesa sa i takon mbulimit të kostove shtesë që do të ketë faza e mbetur e kampionatit, por për këtë do të diskutojmë në një moment të dytë.

Së shpejti do të kemi takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë, me përfaqësues të akademive dhe do vazhdojmë diskutimet.

Jemi të mendimit të luhet futboll në të gjitha nivelet. Shpresojmë edhe në mirëkuptimin e ekspertëve të shëndetësisë dhe të zbatojmë protokollin sanitar, që tashmë është dakordësuar dhe ta mbyllin sezonin në fushë”, tha Shulku.