Shkruar nga Endri ÇINARI
Ekipi i Vllaznisë po vijon përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit 2025-26 me një filozofi të qartë, ku përveç objektivave madhorë për titull, një rëndësi të veçantë do i jepet edhe aktivizimit të futbollistëve të rinj. Klubi shkodran vijon të mbetet besnik traditës së tij, duke e parë të ardhmen si një proces që ndërtohet paralelisht me suksesin e momentit.
Pavarësisht garës së fortë për kreun e renditjes, drejtuesit dhe stafi teknik kanë vendosur të japin besim të plotë për elementët e rinj, duke i konsideruar ata si pjesë integrale të projektit sportiv. Mesazhi është i qartë: mosha nuk do të jetë pengesë për aktivizim, nëse futbollistët tregojnë cilësi, përkushtim dhe gatishmëri për të kontribuar në fushë.
Shembujt pozitivë nga sezonet e shkuara e forcojnë edhe më shumë këtë mendësi të klubi shkodran. Aktivizimi i emrave si Smajli, Dodaj dhe Jukaj rezultoi një sukses i padiskutueshëm për Vllazninë, me këta lojtarë që jo vetëm fituan minuta të rëndësishme, por u shndërruan edhe në pika reference për ekipin e parë. Këto raste shërbejnë sot si model për brezin e ri që po troket në dyert e skuadrës.
Në këtë fazë të sezonit, trajneri Edi Martini pritet të ketë një vëmendje të veçantë ndaj futbollistëve si Pusi, Tafili, Kubazi, Ara dhe Kapllanaj, të cilët po monitorohen nga afër për t’u integruar dhe dhuruar minuta të rëndësishme në skuadrën e parë. Aktivizimi i tyre do të bëhet hap pas hapi, duke ruajtur ekuilibrat e ekipit dhe konkurrencën e brendshme.
Gjithsesi, lista e talenteve nuk përfundon këtu. Vllaznia nuk përjashton mundësinë që edhe futbollistë tëtjerë të talentuar nga akademia kuqeblu të marrin shansin e tyre gjatë muajve në vazhdim. Në Shkodër besojnë se investimi te të rinjtë është garancia më e sigurt për vazhdimësinë dhe identitetin e klubit, edhe në një sezon ku synimi kryesor mbetet fitimi i trofeve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


