Vllaznia pësoi një humbje me përmbysje 1-2 ndaj Tiranës në “Loro Boriçi”. Shkodranët e nisën mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh me Aralica, ndërsa kishin mundësi të dyfishonin rezultatin, por Latifi nuk i tregua i saktë nga penalltia. Tirana përfitoi nga kjo situatë duke barazuar me Ismajlgecin, ndërsa në pjesën e dytë, Hoti shënoi golin e fitores për bardheblutë.

Një humbje e tillë nuk ka lënë një shije të mirë te presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi që është shprehur i zhgënjyer për këtë, ndërsa ka zbuluar se lojtarët kanë dy muaj pa u paguar, por ky problem do të zgjidhet javën e ardhshme. Në fund numri një i skuadrës shkodrane i dërgoi edhe një “sinjal” trajnerit Brdaric.

“Ishte një humbje shumë zhgënjyese. Në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë, ndërsa në dytë u zhgënjeva dhe pashë që lojtarët nuk ishin të motivuar për të luajtur deri në fund. Kjo ishte edhe arsyeja që pësuam edhe dy gola, është një moment shumë i vështirë për skuadrën pasi dihen ambiciet tona këtë sezon dhe tani vështirësohen akoma më shumë.

Duhet të qetësohemi e të bëjmë një analizë të thellë pasi skuadra lojtarë kualitativ dhe kemi disa ndeshje përpara që duhet t’i vlerësojmë pasi duhet të marrim rezultate pozitive”.

Kupat e Europës? “Kjo humbje e vështirëson shumë objektivin titull, është edhe Kupa në lojë që do të luftojmë. Jam i zhgënjyer me pjesën e dytë pasi nuk prodhuam asgjë dhe kjo është pjesa më zhgënjyese. Në futboll janë të 3 rezultatet dhe mendoj se duhet të qetësohemi në fillim e të mendojmë mirë për ndeshjet e radhës nbë mënyrë që të fitojmë Kupën e të arrijmë Kupat e Europës”.

Probleme financiare? “Vllaznia ka pasur probleme financiare, ka probleme të trashgëruar te tatimet dhe ditë pas dite po mundohemi të balancojmë financat që të mos penalizohemi. Ka pasur disa vonesa të vogla dhe disa lojtarë nuk janë paguar, por gjithçka po shkon drejt normalizimit. Jemi ulur me çunat e kemi folur, ajo që është e rëndësishme është që të gjejmë mekanizmat e duhura që të jenë të motivuar e të arrijmë objektivin.

Te Vllaznia ka pasur problematika dhe është pjesa e Bashkisë që janë vënë në dukje për shumë arsye. Ka skuadra të tjera që kanë probleme edhe më shumë me pagesat dhe nuk bëhet zhurëm. Dy muaj kanë lojtarët që nuk janë paguar, por nga java tjetër çdo gjë do të rregullohet sepse kontratat e lojtarëve janë një vit dhe me disa kam marrëdhënie të ndryshme e të gjithë do të marrin atë që i takon”.

Detyrimet ndaj tatimeve kush do i paguajë? “Ky është një problem i madh i Vllaznisë pasi klubi është shitur me të mirat dhe të këqijat e me një detyrim të madh ndaj tatimeve. Kemi një marrëveshje të cilën po mundohemi ta zbatojmë që gjithçka të jetë çdo gjë në rregull. Nuk duhet ta vëmë theksin tek këto gjëra, por duhet të fokusohemi te loja dhe te organizimi që të arrijmë objektivat që kemi”.

Rrezikon trajneri? “Në këtë moment rrezikojmë të gjithë pasi projekti është që të arrijmë disa objektiva dhe sigurisht që nuk jemi të kënaqur. Askush nuk është i paprekshëm te Vllaznia derisa skuadra të gjejë startin e duhur për të mbyllur sezonin”, u shpreh Xhaferi./SHKODRA-SPORT.COM/