Këtë verë, kur Masimiliano Alegri vendosi të kthehej te Juventusi dhe të gjithë prisnin vetëm ditën e largimit të Kristiano Ronaldos, mësuesi i trajnerit livornez, Xhovani Galeone, e tha hapur: “Dushan Vlahoviç është sulmuesi ideal për Alegrin. Edhe sikur Ronaldo të qëndrojë te Juventusi, cilësitë që ka futbollisti serb janë ato që përshtaten me idetë e futbollit të Maksit”.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe me të zbarkuar Alegri në Torino, Juventusi u hodh i gjithi në sulm për sulmuesin e Fiorentinës duke e shtyrë ndoshta këtë të fundit që të mos pranojë rinovimin me vjollcët.

Dhe sipas asaj që raporton “TuttoSport”, në klub jo vetëm do të bëhet e pamundura për të sjellë Vlahoviçin, por ndërkohë është zbuluar edhe ideja që trajneri juventin ka për sezonin e ardhshëm me serbin. Ideja është që 4-4-2 aktual ai ta transformojë në 4-2-3-1 me të cilin “Zonja e Vjetër” luante në aventurën e tij të parë, kur arriti edhe dy finale të Ligës së Kampioneve.

Ndërsa Vlahoviç do të bëjë pykën, ideja është që mëngjarashit prej 190 centimetrash t’i shtojë “krahët” e Kiezës nga e majta dhe Kuadrados nga e djathta, si dhe fantazinë e Dibalës për të lëvizur pas shpatullave të tij.

Sigurisht që ideja në letër është nga ato më intrigueset, por tani për këtë plan ultraofensiv i takon drejtuesve të klubit që të vihen në lëvizje dhe të bëjnë të mundur afrimin me çdo kusht të Dushan Vlahoviçit, për të cilin konkurrenca është shumë e madhe, duke nisur nga Milani e deri te skuadrat e mëdha angleze e spanjolle.