Duhej të ishte një ndeshje futbolli, e shumëpritur për të treguar se cili prej dy vendeve ka më shumë talent në këtë sport.

Por sfida mes Shqipërisë dhe Tunizisë në burgun e Riminit në Itali nuk u mbyll asnjëherë, pasi u ndërpre për një zënkë mes të burgosurve që ishin pjesë e dy ekipeve.

Gjithçka kishte filluar normalisht në fushën e lojës, në këtë ndeshje e cila ishte organizuar më datë 3 mars, në një të diel në orën 14:45, që “futbollistëve” t’u dukej si një nga ndeshjet e rëndësishme të kampionatit italian.

Por ndërhyrjet e parregullta kanë kaluar çdo limit dhe në fushë kanë filluar të shtyrat, grushtet, shkelmat apo edhe goditjet me kokë.

Çdo gjë ka degjeneruar në një sherr masiv i cili sigurisht që ka sjellë edhe ndërhyrjen e forcave të sigurisë të burgut për të ndarë palët.

Gjyqtari sinjalizoi ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes e cila si bilanc kishte vetëm dy lojtarë shqiptarë të dërguar në infermierinë e burgut, me njërin prej tyre që pësoi frakturë në hundë gjatë sherrit. /vipsport/