Herri Kejn kërkon me çdo kusht transferimin te Mançester Siti dhe dje “Daily Mail” raporton se në radhët e Totenhemit tashmë ka shpërthyer një luftë e brendshme.

Ndonëse “Qytetarët” kanë bërë një ofertë të çmendur prej 185 milionë eurosh, presidenti Levi është gati që ta shtyjë atë, vetëm për të mos e lëshuar bomberin e tij.

Por 28- vjeçari, i cili aktualisht është me pushime, pas finales së humbur të “Euro 2020” kundër Italisë, dje ka lajmëruar se kërkon disa ditë më shumë pushime dhe do të kthehet në stërvitje vetëm pas 15 gushtit.

Por pikërisht në këtë datë luhet edhe java e parë e Premier Ligës, ku Totenhemi do të presë në shtëpi Mançester Sitin dhe zgjedhja e Herri Kejnit duket qartësisht një lëvizje për të vazhduar presionin e tij për t’u vënë sa më shpejt nën urdhrat e Pep Guardiolës, aq sa është gati të dezertojë edhe duelin përballë “Qytetarëve”.