Vllaznia ka përpara një provë të vështirë nesër ku do të ndeshet me Kastriotin, në stadiumin e Kamzës. Shkodranët nuk janë në pozita fort komode, me 10 pikë larg kreut, teksa nesër atyre u bën punë vetëm fitorja.

Në konferencën e sotme për shtyp ka qenë i pranishëm edhe zv / trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, teksa është ndalur edhe tek ndeshja e rradhës me Kastriotin, për të cilën ka thënë se skuadra duhet të bëjë shumë kujdes në fushën e lojës.

“Unë të them të drejtën, tashmë është një situatë, e cila ne kjo punë na bën që të jemi herë këtej dhe herë andej. Kam pasur rastin të bëj një punë të mirë në ato vite kur unë kam qenë trajner i Kastriotit, por tani është diçka tjetër.

Kastriotin e njoh shumë mirë, ka një skuadër, e cila ka grintë në fushën e lojës. Nuk do ta kemi të lehtë, do ta kemi të vështirë ndeshjen nesër.

Poashtu, ato pikë që ka marrë Kastrioti, i kanë dhënë një frymëzim tjetër skuadrës dhe në përbërjen e saj ka lojtarë, të cilët kanë luajtur me Vllazninë. Janë disa lojtarë, të cilët kontribuojnë edhe ata më tepër për të treguar veten e tyre, që janë të aftë për të luajtur me fanellën e Vllaznisë.

Kemi dyfish punë të vështirë, por gjithsesi ne jemi ndërtuar si një skuadër pretendente. Jemi dy skuadra me objektiva të kundërta, ata janë për mbijetesë, ne jemi një skuadër që synojmë majën e tabelës.

Nesër, do të jetë një ndeshje e fortë dhe shpresoj që ato raste që të na jepen t’i shënojmë, në mënyrë që të dalim me një rezultat të mirë me Kastriotin”,-mbylli prononcimin e tij, zv / trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori.

Maringlen ZHIVANI