Fitorja në kupë kundër Pogradecit në shifrat e thella 6-1 patjetër që nuk ul ritmin e Vllaznisë. Kjo pasi shkodranët do kenë një përballje në fundjavë kundër Kastriotit për javën e 9-të të Superligës. Ndeshje ku duhet rikthyer medoemos tek 3 pikët për të mos humbur edhe më shumë kontaktet me kreun që mbahet nga Tirana.
Por Pogradeci duket se ishte “drita jeshile” e “semaforit” për kuqeblutë që tashmë do kenë “autostradë” përpara. Kjo pasi kalendari në këtë fund viti i favorizon shumë të besuarit e Brdariç për të bërë një mbyllje sa më të mirë.
Deri në fund të vitit ku ndeshja e datës 22 dhjetor parashikon përfundimin e këtij viti futbollsitik, Vllaznia do zhvillojë 7 ndeshje. Nga këto vetëm dy takime do e gjejnë Vllazninë në udhëtim. Kuqeblutë do vizitojnë Teutën më 4 dhjetor dhe Dinamon me datë 18 dhejtor.
Ndërsa ndeshjet me Kastriotin këtë të shtunë, Laçin fundjavën tjetër dhe pastaj me rradhë Partizanin, Skënderbeun e për ta mbyllur me Kukësin do i presë të gjitha në “Loro Boriçi”. Një kalendar që është “aleat” i Vllaznisë dhe që 9 herë kampionët e vendit duhet ta shfrytëzojnë për tu rikthyer në rrugën e duhur.
Endri ÇINARI