Rreth 200 ditë nga starti i Botërorit 2026, FIFA ka nisur përgatitjet, duke publikuar një nga posterat promovues të kompeticionit. Por kjo gjë ka sjellë jo pak kaos dhe polemika në rrjetet sociale, për shkak të një mungese që nuk kaloi pa u vënë re, Cristiano Ronaldo.
Në profilet e saj zyrtare, FIFA ka shpërndarë një poster me portretet e lojtarëve më të mirë të skuadrave të kualifikuara direkt për në Botërorin 2026. Qëllimi ishte për të promovuar shortin final të turneut, që do të hidhet më 5 dhjetor, por FIFA kishte bërë një gabim të madh, që shumë tifozë nuk e kanë falur.
Në poster shfaqeshin Lionel Messi që përfaqësonte Argjentinën, Kylian Mbappé për Francën, Harry Kane për Anglinë dhe Erling Haaland për Norvegjinë, për të përmendur disa. Për Portugalinë, imazhi i zgjedhur nuk ishte CR7, siç prisnin të gjithë, por Bruno Fernandes.
Kjo zgjedhje ka bërë që shumë fansa, jo vetëm portugezë, por nga e gjithë bota, të lëshojnë kritika pa fund në komentet e tyre. Një situatë, që e ka detyruar FIFA-n të reagojë, duke e hequr postimin pa dhënë shpjegime , për të përfshirë në posterin tjetër edhe Ronaldon.
Disa komentues përqendroheshin te CR7, kurse disa të tjerë akuzonin FIFA-n se dëshiron të favorizojë Lionel Messi-n: “Administratori ka harruar Ronaldon? Po, është një fans i Messi-t, 100%”, – ka shkruar një komentues. “Ronaldo nuk ka nevojë për postera, posterat kanë nevojë për Ronaldon”, ka shkruar një tjetër.







