Supersfida e javës në Serinë A mes Interit dhe Napolit nuk kaloi pa polemika, veçanërisht për penalltinë e akorduar në favor të zikaltërve, që Çalhanoglu e shndërroi në gol.
Ish-arbitri italian Andrea De Marko analizoi situatën në emisionin “Oper VAR” dhe konfirmoi se vendimi për penallti ishte korrekt.
Ai shtoi se mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, duhej të ndëshkohej me karton të verdhë për ndërhyrjen ndaj Mkhitaryan.
“Penalltia është absolutisht e saktë. Është një nga ato raste të kodifikuara: ka një hap të qartë nga Rrahmani që prek Mkhitarianin, i cili nuk mund ta shmangë kontaktin. Arbitri në fushë, ndoshta për shkak të shpejtësisë së veprimit, nuk e pa, por VAR bëri një punë të shkëlqyer duke e rikthyer vendimin në shqyrtim”, komentoi De Marko.
Ai shtoi: “Po flasim për një ndërhyrje të pamatur dhe Rrahmani meritonte kartonin e verdhë”.


