Ka rreth dy javë që ekipi i Veleçikut ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar edhe ndeshjet miqësore. Megjithatë fokusi i stafit teknik dhe i drejtuesve të klubit përveçse në rritjen e parametrave fizike të futbollistëve aktualë, janë duke u përpjekur për ta forcuar skuadrën me të tjerë lojtarë cilësorë.

Me to, por edhe ata që kanë qenë edhe sezonin e kaluar pjesë e ekipit koplikas, do të përballohet sezoni i ri. Sakaq, drejtuesit e klubit janë duke punuar edhe për plotësimin e stafit teknik me një trajner portierësh, për rrjedhojë përkrah Besnik Dulit pritet të jetë në këtë pozicion Elis Legata.

Nga ana tjetër, ndonëse ka patur shpresë që në Koplik të rregullohej fusha sportive dhe ndeshjet do t’i luanin aty, kjo nuk ka ndodhur dhe Veleçiku edhe në sezonin e ri që starton më 14 shtator, ndeshjet do t’i luajë në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.
www.shkodrasport.com