Aktivizimi në pjesën e dytë të miqësores me Besëlidhjen por edhe një seancë stërvitore që ka zhvilluar me ekipin e Vllaznisë, kanë mjaftuar për të dhënë një verdikt për të ardhmen e portierit maqedonas Kristijan Naumovski.

Stafi teknik duket se ka vendosur që ai të mos e vazhdojë më provën tek kuqeblutë. Për këtë arsye, me shumë të ngjarë 26 vjeçari me një CV të pasur në karrierën e tij, nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij ashtu si duhet dhe për këtë arsye nuk do të jetë portieri i Vllaznisë në sezonin e ri. Nesër drejt Malit të Zi do të udhëtojë me ekipin vetëm dy portierët aktualë të saj, Erind Selimaj dhe Alen Sherri. Gjatë ditëve të fundit kanë ardhur disa portierë për t’u provuar por asnjëri nuk ka bindur dhe janë larguar për andej nga kanë ardhur.