Shkruar nga Gjergj KOLA
I datëlindjes 2010, portieri me origjinë nga Shkodra Bastian Brungaj ka debutuar sot me ekipin U20 të Carrarese në kampionatin “Primavera” në Itali. Ky padyshim që është një “rekord” në futbollin italian të moshave dhe ai i takon 16 vjeçarit shqiptar.
Brungaj është rritur tek Akademia e Fiorentinës, por duke parë që hapësirat e aktivizimit aty nuk ishin ato që dëshironte, vendosi të kalonte tek Carrarese, me idenë për të luajtur me ekipin U16 për shkak të moshës, por në fakt ka qëndruar shumë pak kohë me këtë ekip sepse e kanë kaluar menjëherë tek ekipi U17.
Paraqitjet e mira aty, ndërkohë kanë bërë që drejtuesit e Akademisë së Carrarese ta kalojnë tek ekipi U20, me të cilin stërvitej prej një muaji dhe ishte në pankinë prej disa ndeshjesh, ndërsa sot i erdhi rradha për të debutuar si titullar me këtë ekip.
Ka ndodhur në sfidën që ekipi i tij ka luajtur nnë tranfertë me Aurora Pro Patria, e cila është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0 dhe një meritë për mos pësimin e golit nga Carrarese padyshim që ka patur portieri Brungaj i cili ka bërë disa pritje vendimtare në këtë 90 minutësh të cilin ai do ta mbajë mend gjatë.
Kjo është hera e parë që një portier i datëlindjes 2010 aktivizohet si titullar në kampionatin U20 në Itali dhe këtë e bëri pikërisht një shqiptar si Bastian Brungaj i cili ka mbrojtur edhe portën e kombëtares kuqezi të grupmoshave U15 dhe U16.
Megjithatë duket se sfida e sotme do të jetë vetëm e para e një seria suksesesh në të ardhmen sepse Bastiani me talentin që zotëron premton shumë dhe drejtuesit e ekipit të tij e dinë këtë gjë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


