Portieri nga Velipoja Gabriel Guri nga java në javë jo vetëm po fiton besimin e stafit teknik, por edhe po shkëlqen me paraqitjet e tij dhe këtë e tregon më së miri shpallja tre herë rresht si “lojtari i ndeshjes” në sfidat ku ai ka luajtur.
Siç kemi bërë të ditur, ish- portieri i PSG U19, pas disa probleme me dokumentacionin, këtë sezon, falë edhe përpjekjeve të shumta të menaxherit shkodran Benardin Kulla, ka arritur të bëhet pjesë e ekipit “Primavera” të Sassuolos.
Kuptohet që nuk ka qenë e lehtë për të siguruar një vend në portë sepse ekipi italian kishte në përbërje të tij një portier shumë të mirë si Nyarko, por falë një punë të fortë dhe sistematike, ka arritur të bindë stafin teknik dhe në ndeshjet e fundit ka qenë Guri në portë. Një gjë e tillë ndodhi edhe në ndeshjen e djeshme të Kupës së Italisë ndaj Lecces ku portieri shkodran me pritjet e tij kontribuoi në mbajtjen e paprekur të portës së tij dhe njëkohësisht edhe në fitoren 3-0 të Sassuolos.
Vlerësimi edhe me çmimin simbolik si “lojtari i ndeshjes”, padyshim që është një motiv më shumë për Gurin për të vijuar në këtë rrugë. Ai ka një kontratë njëvjeçare me këtë skuadër, por drejtuesit e klubit kanë filluar që tani të bisedojnë për rinovimin e saj. Për më tepër që 19 vjeçari i cili në Shqipëri ka luajtur me ekipet e moshave të Adës dhe Murlanit, herëpashere po stërvitet edhe me ekipin e parë të Sassuolos.


