Nga Endri ÇINARI

Tërbuni arriti një fitore me mjaft vlera në javën e fundit të Kategorisë së Dytë. Pukjanët mposhtën në shifrat 2-0 Albanët dhe një nga më të mirët e takimit ishte edhe Rigers Xhahysa. Mesfushori flet për “Shkodra Sport” pas këtij triumfi duke theksuar se ishte një 3 pikësh i nevojshëm. Po ashtu ai flet edhe për ndeshjen e rradhës kundër Ilirisë, një duel i fortë në këtë fundjavë.

Xhahysa tha: “Ndeshja e fundit ndaj Albanëve pavarësisht se ndoshta kundërshtari nuk ishte më i forti i mundshëm ishte shumë e domosdoshme. Na duhej ky sukses sepse realisht kemi merituar më shumë edhe në javët që kemi lënë pas. Duhej të ishim më lart në renditje dhe të kishim më shumë pikë.

Por ne po punojmë çdo ditë që të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. Patjetër objektiv është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe unë mendoj se shanset janë reale. Duke filluar që nga kjo ndeshje e kësaj fundjave do mundohemi të krijojmë vazhdimësi.

Do jemi përballë Ilirsë, një kundërshtari që po ashtu ka ambicie për tu ngjitur më sipër. Por edhe ata si ne kanë ecurinë e njëjtë. Ndeshja besoj se do jetë e fortë dhe e luftuar, por ne do japim më të mirën duke tentuar pikët që janë shumë të vlefshme në këtë kampionat dhe këtë periudhë”.